TIRANE- Fatos Lubonja ka analizuar sot situatën politike në vend, që nga marrëveshja PD-PS dhe debatet mes aleatëve të opozitës për zgjedhjet e 25 qershorit. I ftuar në rubrikën ‘Opinion’ në ‘News24’, Lubonja pohoi se synimi i dy forcave të mëdha politike, PS-PD, ishte eliminimi i LSI-së. Po ashtu, Lubonja theksoi se tezat që janë folur këto ditë për një koalicion të mundshëm mes PS-PD, sipas tij është një mashtrim i madh. “Koalicioni PS-PD është një mashtrim i madh që përdoret për të gënjyer ndërkombëtaret. Pra na shihni se ne jemi të pjekur tani dhe na fusni në Evropë. Mendoj se është një mashtrim i madh dhe nuk asgjë premtuese”, – tha Lubonja, raporton ‘BalkanWeb’.

Ai shtoi se: “Kemi një lloj paqartësie se sa ky projekt i dy partive të mëdha synon për t’i nxjerr jashtë loje partitë e vogla. A duhet Shqipëria të ketë vetëm dy parti të mëdha, pra a duhet të shkojmë tek modeli amerikan? Modeli amerikan nuk ka një lider të përjetshëm. Ky model është tjerët gjë. Unë them se jo. Kjo është loja e dy të mëdhave, për të eliminuar të voglat. Duke filluan nga LSI. Deri sa eliminuan LSI, të voglat janë më lehtë”, – tha Lubonja, raporton ‘BalkanWeb’. Nga ana tjetër analisti nënvizoi se politika shqiptare ‘prodhon’ mosmarrëveshje dhe pabesi.

“Mosmarrëveshjet dhe pabesi është e gjithë politika shqiptare. E para ndaj elektoratit. Një mosmarrëveshje me këta aleatët e vegjël nuk na çudit. Ashtu siç nuk na çudit që të gjendet një marrëveshje. Këto e kanë kthyer në biznes politikën. Pluralizëm pa vizione të ndryshme për vendin dhe me konfliktualitet, nevojë për të ndarë tortën”, pohoi ai.

Nga ana tjetër Lubonja u ndal dhe tek listat e PD-së me kandidatët për deputetë, që pritet të prezantohen mbrëmjen e sotme. “PD ishte në çadër me një premtim, kontestim, denoncim, të gjitha bashkë. Nga denoncimi tek premtimi. Denoncimi për Republikën e Vjetër dhe premtimin për Republikën e Re. Në atë çadër krijonte përshtypje për një lëvizje popullore që nuk ishte thjesht militantizëm. Shpesh herë janë akuzuar dhe mediat, që janë fokusuar tek Basha, dhe jo tek figurat e reja. Në këtë aspekt, çadra dështoi në kuptim e qeverisë teknike”, – tha Lubonja.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb