TIRANË- Analisti Fatos Lubonja në një komunikim me “Skype” në rubrikën “Opinion” në studion e lajmeve në News 24 flet për krizën politike në një ditë si kjo, kur vështirë është të besohet se do ketë dritë në fund të tunelit.

Megjithë takimet që pritet të zhvillohen në funksion të zgjidhjes së krizës, analisti thekson se gjetja e një zgjidhje është e vështirë për aq kohë sa politikanët mundohen t’ja “fusin” njëri-tjetrit.

“Ai që quhet konsensus ose mungesë konsensusi vjen nga fakti që s’ka vullnet të mirë mes palëve, por vetëm lojëra për pushtet, për t’ja futur njeri-tjetrit”,- thotë ai.

I pyetur edhe për planin e shumëpërfolur, “B” që kanë propozuar ambasadorët për zgjidhjen e krizës, Lubonja e zbërthen atë dhe thotë se ka shumë alternativa që mund të çonin drejt zgjidhjes.

“Varet se kush e ka bërë këtë plan B. Një plan është të hyhet në zgjedhje pa opozitën. Një plan është që të pranojë opozita kushtet e Ramës, që kishte të bënte me lëshimin e disa posteve ministrore dhe dhënien e kreut të KQZ. Një plan tjetër është që të pranojë Rama qeverinë teknike. Ka edhe një plan që të ikë Rama dhe të vihet Meta, kryeministër”,

Por pavarësisht çfarë do diskutohet, analisti thekson se: “Nuk e besoj që do të ketë zgjidhje, pozicionet janë larg, mungon vullneti i mirë për të konverguar, punohet në interes të pushtetit. Ndërhyrja e ambasadorëve është një gjë e njohur botërisht, por loja do të vazhdojë. Palët nuk janë të gatshëm të bëjnë atë që duhet bërë. Duhet një qeveri e vullnetit të mirë, nuk është problemi për të bërë një qeveri teknike dhe për të hyrë në zgjedhje”.
(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: