TIRANE– Përfaqësuesja e Lartë e bashkimit Europian për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Federica Mogherini, i është drejtuar pasditen e sotme Kryesisë së Kuvendit për t’u takuar me kryeparlamentarin Ilir Meta.

Temë kryesore e takimit mësohet se ka qenë reforma në drejtësi dhe integrimi i Shqipërisë në BE.

Gjatë takimit, kryetari i Kuvendit, Meta shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Bashkimit Europian për integrimin e Shqipërisë drejt hapjes së bisedimeve për anëtarësim. Kryeparlamentari vlerësoi edhe asistencën e dhënë nga BE në kuadër të reformave kyçe në Shqipëri.

thumbnail_RG9C8209

Theksi i bisedës u vu në rëndësinë e avancimit pa vonesa me zbatimin e reformës në drejtësi, duke u ndalur tek bashkëpunimi politik dhe respektimi i kushtetutës.

“Një reformë e bazuar në Kushtetutë e rrit besueshmërinë e procesit dhe e përshpejton zbatimin më cilësor të saj me qëllim që Shqipëria të ketë mundësi ta luftojë më mirë korrupsionin, krimin e organizuar, trafiqet e paligjshme dhe për të krijuar një klimë më të favorshme për bizneset e huaja”, tha Meta.

Gjatë takimit, Meta dhe Mogherini diskutuan edhe mbi zhvillimet e fundit në rajon duke ndarë bindjen e përbashkët se një Shqipëri e stabilizuar dhe konstruktive i shërben më mirë stabilitetit dhe bashkëpunimit rajonal.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb