Berati, qyteti i një mbi një dritareve, këtë verë na jep një arsye më shumë për ta vizituar.

Është “Festivali MultiKulturor Berat”, i cili këtë vit shënon edicionin e tij të IV-t. Artet pamore, sesionet e trashëgimisë kulturore dhe skena e ngritur në pedonalen e qytetit që do të presë shumë performanca muzikore nga artistë vendas, të trevave e të rajonit, do t’i japin gjallëri Beratit në datat 20, 21 dhe 22 korrik.

Ky festival nuk përmban vetëm muzikë të stileve të ndryshme, por dhe artin pamor e trashëgiminë kulturore, ku nuk do të mungoj dhe panairi i librit dhe produktet e artizanatit.

Festivali sipas organizatorëve merr rëndësi sepse zhvillohet dhe në një kohë kur këtë qytet e vizitojnë turistë të huaj.

Turizmi kulturor ka një rëndësi madhore në zhvillimin ekonomik të Beratit. Ndërkohë që numri i turistëve vjen në rritje nga viti në vit edhe numri i hoteleve dhe kapaciteti i tyre vjen po ashtu në rritje. Tradita artizanale, artistike e kulturore si trashëgimtare e denjë e një numri të stërmadh monumentesh, që tipizohen nga larmishmëria. Prani objektesh të cilat i përkasin kulturave shumë të ndryshme që kanë ndikuar në historinë e qytetit, nga lashtësia, tek Mesjeta Bizantine.

Festivali organizohet nga organizata “Njerëz dhe Ide”, “Artplus”, Bashkia Berat, me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb