NGA ZONJA VJOLLCA
Përbërësit

400 gr fileto pule
2 kokrra portokalle
300 gr presh
1 lç piper jeshil kokërr
170 ml verë e bardhë
2 lgj majdanoz i grirë
3 lgj vaj ulliri
Kripë, piper i zi

Përgatitja
Lajmë me ujë të ngrohtë portokallet dhe pasi ti kemi tharë mirë qërojmë hollë lëkurën e verdhë pa cipën e bardhë. E presim lëkurën e portokallit më pas në shirita të hollë. Pastrojmë portokallin nga cipa e bardhë dhe e presim horizontalisht në feta rrumbullake.
Preshin të larë dhe të pastruar e presim për së gjati horizontalisht dhe më pas në copa rreth 2 cm.
Shtypim pak piperin jeshil kokërr dhe më pas marinojmë pulën me kripë dhe piper të zi.
Ngrohim vajin në një tigan, vendosim filetot e pulës dhe i skuqim për 3 minuta nga të dyja anët në temperaturë të lartë. Më pas i largojmë filetot e pulës dhe në po të njëjtin tigan kaurdisim preshin. Sapo të ulë pak volumin shtojmë kripë dhe piper të zi. Kur preshi të fillojë të zbutet shtojmë fetat e portokallit, shiritat e lëkurës së portokallit dhe piperin jeshil kokërr të shtypur pak. Në fund vendosim filetot e pulës dhe e shuajmë gatimin me verë të bardhë. Mbulojmë tiganin me kapak dhe e lemë të gatuhet për 10-15 minuta në temperaturë mesatare. Shtojmë në fund pak majdanoz të freskët dhe e servirim recetën duke dekoruar pjatën fillimisht me disa feta portokalli mbi të cilat vendosim salcën e përgatitur dhe fileton e pulës të prerë në feta.

(da.xha/Vila24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb