“Të korra të hidhura” është një dramë historike që trajton një histori dashurie në kushtet e ngjarjeve të tmerrshme që sillen përreth Holodomorit. Një zi urie që vrau miliona njerëz në vitet ’30 në Ukrainë, kur vendi ishte pjesë e Bashkimit Sovjetik. Filmi, i cili sapo ka dalë në Ukrainë, Shtetet e Bashkuara dhe kudo tjetër, është i pari film me metrazh të gjatë i regjisorit me origjinë ukrainase, por i lindur në Gjermani dhe më pas i zhvendosur në Kanada, George Mendeluk.

Filmi hedh dritë mbi një tragjedi që autoritetet sovjetike e mbajtën të fshehtë për dhjetvjeçarë me radhë dhe që ende mbetet pak e njohur jashtë Ukrainës. Tatiana Vorozhko dhe Iryna Matviichuk nga shërbimi ukrainas i VOA-s folën me prodhuesit e filmit për vështirësitë e realizimit të tij.

Filmi hapet me pamjen piktoreske të një fshati ukrainas.

“Doja diçka që të dukej si përrallë,” thotë regjisori George Mendeluk.

Një përrallë e gërshetuar me mizorinë e një regjimi sovjetik që ra mbi fshatarësinë ukrainase, duke lënë miliona njerëz të vdekur, për të qenë të saktë me detajet historike.

“U munduam shumë dhe u siguruam që filmi të ishte i saktë, prandaj ai u kontrollua nga shumë historianë,” tregon producenti Ian Ihnatowycz.

Ian Ihnatowycz, producenti i “Të korra të hidhura,” tha se njohuritë e tij mbi Holodomorin e shtynë të shkruante një skenar dhe së fundmi, ta mbështeste filmin financiarisht.

Skenari mbështetet në historinë e dy fshatarëve ukrainas të dashuruar, Juri dhe Natalka, të cilët interpretohen nga aktorët britanikë Max Irons dhe Samantha Barks.

“Mendova se do të ishte mirë që filmi të bëhej me yje ndërkombëtarë dhe një stil që të tërhiqte publikun perëndimor,” thotë producenti.

Me një buxhet prej 20 milionë dollarësh, “Të korra të hidhura” është xhiruar në Pyogovo, muzeu në qiell të hapur i arkitekturës popullore dhe jetës fshatareske ukrainase.

Mësimi që mendohet të japë historia e Holodomorit nuk u zbeh aspak nga loja e aktorëve.

“Ishim në siklet që nuk dinim shumë rreth kësaj historie. Njerëzit thonë ‘Stalini ishte i tmerrshëm!’ dhe e dimë se këtu ka një të vërtetë, njëfarë tragjedie. Por se deri në ç’pikë arrinte kjo e keqe nuk ishim të qartë,” thotë aktori Tamer Hassan.

“Kur lexon skenarin e kupton se ka një arsye pse unë apo dhe shumë të tjerë njësoj si unë, dimë pak, për të mos thënë aspak, rreth kësaj historie,” thotë aktorja Samantha Barks.

Për aktorin anglez, Max Irons, nuk ishte e lehtë të portretizonte Jurin, pasi përvoja e këtij personazhi ishte krejt ndryshe nga ajo e vetë aktorit dhe e çdo roli tjetër që kishte luajtur më përpara.

“Sikur bëhesh diçka tjetër, më primitive… është si të mbijetosh. Duhet thjesht t’u mbijetosh rrethanave.”

Aktori Tamer Hassan luajti rolin e një komisari sovjetik, i cili terrorizonte fshatarët ukrainas.

“Duhet ta gjeja këtë personazh, të kuptoja çfarë e shtyu të bëhej kaq djallëzor dhe njeri aq i egër, sa të kryente ato vepra mizore.”

“Kishim një histori dashurie. Kishim Holodomorin. Filluam me Revolucionin Bolshevik. Na u desh të shpjegonim disa gjëra dhe ta punonim skenarin,” thotë regjisori.

Teksa stafi po përfundonte xhirimet në Kiev, në 2014-ën shpërthyen protestat kundër qeverisë.

“Gjatë kohës që po xhironim në Ukrainë, përjetuam edhe këtë moment të trishtë të historisë. Rreth dy javë më vonë filloi revolucioni,” thotë një aktore.

Ndonëse ideja për filmin kishte lindur kohë më parë, tani, shprehen krijuesit e tij, ai do të ndihmojë shikuesit perëndimor që të kuptojnë më mirë arsyet e marrëdhënieve të acaruara midis Rusisë dhe Ukrainës. /VOA/

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: