Lionel Messi iu ka vrarë shpresat të gjitha skuadrave që pretendonin shërbimet e tij duke i dhënë fund thashethemeve me kontratën e re të nënshkruar me ekipin e Barcelonës. Çdokush që do pretendojë shërbimet e argjentinasit tani do t’a ketë thuajse të pamundur.

Sot, 29-të vjeçari ka nënshkruar një kontratë që do t’a mbajë të lidhur edhe për katër vite në “Camp Nou”. Më e rëndësishmja se me katalanasit nuk do e mbajë të lidhur vetëm marrëveshja e kontratës.

Gazeta spanjolle “AS” konfirmon se në kontratën e argjentinasit është përfshirë një klauzolë e cila nuk e lejon të largohet për më pak se 400 mln euro, nga 250 mln euro se ç’ishte më parë.

E paimagjinueshme është edhe paga që do të përfitojë lojtari. Shuma që ai do marrë në fund të katër viteve është më e madhe sesa pagoi Manchester United për të siguruar shërbimet e Paul Pogba. 115 mln euro i kushtoi lojtari “djajve të kuq”, ndërsa Messi do përfitoi në total 120 mln euro.

Argjentinasi do të paguhet 30 mln euro në sezon duke mos përfshirë taksat deri në vitin 2021, ç’ka do të thotë se rikthehet të dominojë kreun me listën e futbollistëve më të paguar në botë, raporton “SPORTBible”.

“Pleshti” gjithmonë është shprehur se karrierën do t’a mbyllë në Argjentinë, tek Newell’s Old Boys, klubi i parë me të cilin ka luajtur. Me kontratën e re, Newell’s do t’i duhet të presë të paktën edhe 4 vjet.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb