Nga: Gerilina Kodheli
Festivali “Kënga Magjike” edhe këtë vit nuk ka kaluar pa debate. Konflikte për votën, mënyrën e votimit, apo akuzat për këngë të kopjuara kanë qenë në qendër të vëmendjes mbrëmjen e festivalit dhe ditët e tjera pasuese. Megjithatë, ajo që bëri më shumë jehonë ishte një deklaratë e Devis Xherahut, që akuzonte fituesen Rozana Radi, për të cilën tha se nuk e meritonte çmimin dhe nuk është këngëtare.

“Në këtë festival marrin pjesë nivele të ndryshme artistësh, si ata të nivelit të fillores, të 8-vjeçares, të së mesmes dhe pak nga ata të doktoraturës. Nuk mund të gjykojë një artist i fillores ose i 8-vjeçares një të doktoraturës, apo të universitetit, sepse ai akoma nuk di si përdoret mikrofoni, si këndohet me të dhe jo më të gjykojë një këngë, një artist profesionist”, ka thënë Xherahu, ndërsa vijoi se “Çmimin e parë ia dorëzojmë një njeriu që nuk ka lidhje me këngën dhe të kënduarin, por vetëm me tekstin dhe pak aktrimin, siç ishte Rozana Radi”. Tashmë pas gjashtë ditësh, Rozana rrëfen për “Bluetooth” se si i ka përjetuar këto sulme të kolegut të saj, por edhe debatet e tjera post-”Kënga Magjike”.

Ndonëse këto diskutime mund t’i kenë shkaktuar shije të hidhur Rozana Radit, dhjetori është muaji i saj. Pas trofeut në “Kënga Magjike”, këngëtarja ka ardhur në rolin e prezantueses në emisionin investigativ “Boom”, që siç duket do të jetë krejt ndryshe nga sa jemi mësuar të shohim deri tani. “Do t’ju plasi bomba në dorë shumë shpejt”, tregon këngëtarja, duke lënë të kuptohet se po përgatisin diçka shumë interesante, që me gjasa do të na tronditë të gjithëve.

Rozana radi er
Fitore në “Kënga Magjike” dhe një nisje e bujshme e “Boom”, duket se është muaji yt. E lumtur?
Shumë e lumtur, për shumë arsye. U vlerësua një punë disa vjeçare. U vlerësua në një kohë që festivali bëhet live dhe u vlerësua nga kolegët me një diferencë të madhe votash nga çmimi i dytë.

E prisje çmimin e parë në “Kënga Magjike”? Po debatet dhe pakënaqësitë që pasuan?
Të jem e sinqertë, publiku e pëlqeu këngën sapo doli, po ashtu dhe kolegët artistë, të cilët e postuan masivisht në rrjetet sociale. E prisja, por deri sa e mora nuk e besoja. Debateve nuk i ikim dot. Unë do preferoja që debatet të bëheshin para se të kalosh ujin, jo pasi e ke kaluar.
Pse mendon se të sulmoi Devis Xherahu? Keni pasur më herët konflikte personale?
Nuk kam pasur as nuk dua të kem debat me Devisin. Se di përse! Dhe nëse do ta dish, as që më intereson fare.
Rozana Radi efg
Ke realizuar disa këngë për femrat dhe kryesisht në fabulat e tua janë të brishta. Pse?
Nuk ka një pse në krijimtari. Është moment, është ndjesi.
“Boom” ka qenë sukses që në serinë e parë. Cili është misioni i Rozanës në këtë emision investigativ?
Është një eksperiencë e re për mua. Është një emision që mendoj që do japi një kontribut të madh për përmirësimin e shoqërisë tonë në përgjithësi. Është një emision, ndër të tjera, që ka dhe satirën brenda, për këtë mendoj se mund ta bëj mirë.
Duhet të presim më tepër tema sociale, meqë përbëhet nga një staf me vetëm femra?
Ne sapo kemi startuar. Nuk do tregoj shumë për “Boom”-in, vetëm po ju them që do t’ju plasi bomba në dorë shumë shpejt. (Bluetooth/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: