Nga: MENTOR KIKIA*
Tashmë Brukseli do të jetë i detyruar të ulet në sofër me presidentin e plotfuqishëm turk Rexhep Taip Erdogan, ose Sulltan Erdoganin, siç e thërrasin opozitarët në rrallim turq. Me gjithë dëshirën që rezultati i zgjedhjeve të ishte ndryshe, Brukseli nuk ka zgjidhje tjetër përderisa Turqia është porta nga ku nis karvani i refugjatëve sirianë që përfundojnë në Hungari, Austri, me destinacion final Gjermaninë.
Erdogani nuk ka zhgënjyer aspak në ambiciet e tij për ta shndërruar Turqinë në një vend të sigurt, por pa demokraci, dhe atentatet kamikaze në Ankara, pak ditë para zgjedhjeve, ndihmuan shumë për këtë. Ai dhe partia e tij luajtën gjithçka për gjithçka në zgjedhje dhe fituan. Ai nuk zhgënjeu aspak në ambicien e tij për ta kontrolluar supershtetin pa asnjë kundërshtar publik, siç është media e pavarur. Afro një javë para zgjedhjeve, shteti sekuestroi një ndër kompanitë më të mëdha në Turqi, “Koza Ýpek Holding”, e cila ushtronte aktivitetin e saj në sektorë të ndryshëm, edhe në atë mediatik, me gazetat “Bugun”, “Millet” dhe kanalin televiziv “Kanaltürk”. Arrestimi i kryeredaktorit të gazetës “Today’s Zama” për arsye se kritikoi “Sulltanin” në “Twitter”, tregon qartë prirjen e politikës turke për t’i bërë presion të hapur çdokujt që bën opozitë dhe nuk mendon si ata.
Edhe “Dogan Medya Grup”, e cila pati një qëndrim opozitar, nuk i rezistoi dot presionit dhe me mbylljen e kutive të votimit, përshëndeti fitoren e AKP-së, për t’i shpëtuar gijotinës. Por në Turqi ka ende disa media të lira dhe gazetarët parashikojnë sulme dhe sekuestro shtetërore edhe ndaj mediave të tjera, si gazeta më e madhe në Turqi “Zaman”, “Today’s Zaman”, kanalit televiziv “Samanyolu TV” dhe “Samanyolu Haber”. Nëse përfundon “suksesshëm” edhe ky operacion, atëherë nuk do të ketë më se kush të flasë ndryshe nga qeveria në Turqi. Kjo situatë mori vëmendjen maksimale edhe në konferencën e tretë “Fol hapur” në Bruksel, që iu kushtua lirisë së medias në Ballkan. Turqia u konsiderua një rast tragjik.
Refleksionet e politikës së Erdoganit në rajon dhe Shqipëri
Për shkak të historisë, Turqia vazhdon të ketë ende një influencë të madhe në rajon, dhe në Shqipëri kjo është edhe më e theksuar. Ambiciet e saj për ta rritur këtë ndikim, kanë prodhuar madje edhe një debat të fortë publik në Shqipëri, ku ata që mendojnë se Turqia nuk ishte pushtuese por administratore, janë një zë shumë i fortë.
Është e trishtueshme të mendosh se, në një vend që ka qenë 500 vjet nën sundimin e një perandorie që konsiderohet historikisht përgjegjëse për prapambetjen e gjithanshme që “gëzojmë” edhe sot, të ketë ende konsiderueshëm ithtarë të kësaj perandorie. Një sindromë që njihet si varësia e skllavit ndaj padronit, ose varësia e prostitutës ndaj tutorit.
Për të mos u hyrë trajtesave historiko-shoqërore, ajo që duhet thënë është se qeveria turke e ka objektiv tashmë të deklaruar të ndikojë në mjedisin politik, social, mediatik e shoqëror shqiptar. Pra nuk është vetëm një partner ekonomik dhe politik, si Gjermania p.sh. Ajo mendon se, në një farë mënyre, duhet të kthehet në kufijtë e vjetër në rajon dhe në këtë kuadër edhe të diktojë politikat e tij. Në vizitën e tij të fundit në Shqipëri, Erdogani ishte i drejtpërdrejtë kur kërkoi mbylljen e disa shkollave dhe qendrave kulturore turke që janë nën ndikimin e Lëvizjes Gylen, një lëvizje civile dhe fetare, e moderuar, dhe për këtë arsye edhe në luftë të hapur me Erdoganin.
A do ta përsërisë tashmë ai këtë kërkesë edhe me tone të tjera? Këtë s’e dimë! Sot në Shqipëri ka nga ata që janë entuziazmuar publikisht për fitoren e Erdoganit, jo thjesht si adhurues të politikës së tij, por sepse shpresojnë që kjo do të influencojë drejtpërdrejt në Shqipëri. Dhe kjo eufori nuk lidhet shumë me pritshmëritë ekonomike, por më së shumti me ato fetare. Pra ka një adhurim thjesht për Perandorinë, por për radikalizmin fetar që po instalohet në “Perandorinë e re të Erdoganit”. Ja çfarë shkruante njëri prej tyre në rrjetet sociale: “Në mënyrë të veçantë, ky rezultat ka rëndësi për zhvillimet në Shqipëri, ku rivalet për jetë-a-vdekje të AKP-së drejtojnë Komunitetin Mysliman të Shqipërisë, me një filozofi sipërfaqësore dhe në thelb sekulare”. Ata që dinë pak nga “punët e brendshme” të KMSH-së, dinë se çfarë lufte zhvillohet mes “tradicionalëve” dhe “të rinjve”, me prirje radikale, për të marrë drejtimin e Komunitetit. Madje shteti ka një “marrëveshje” me KMSH-në, përmes së cilës ndërhyn kur ka informacion se mund të cenohet siguria kombëtare. Falë kësaj, shteti ia ka dalë deri tani t’i pengojë “të shkolluarit e Teheranit apo Riadit” të marrin drejtimin e KMSH-së.
Të tjerë shkruanin se Erdogani fitoren shkoi ta ndante me Zotin, në xhaminë Ebu Ejjub El Ansari, të parën që turqit ndërtuan kur çliruan Konstandinopojën. Po ashtu, me një gjuhë të ashpër kundërshtohet nga disa të tjerë qëndrimi i Brukselit ndaj dhunës që qeveria turke ka ndërmarrë ndaj lirisë së medias, duke i cilësuar mediat e pavarura në Turqi sikur të ishin gazeta naziste në Bruksel.
Erdogani tashmë ka çdo gjë në dorë që shtetin turk ta shndërrojë në një republikë islamike, duke shkatërruar trashëgiminë e Ataturkut të madh, që e themeli Turqinë moderne mbi rrënojat dhe shallvaret e Perandorisë Osmane. Ithtarët e Erdoganit në Shqipëri, në fakt janë ata që më shumë se çdo gjë tjetër, presin ndryshime në rrafshin fetar.
Kjo në dukje nuk ka asgjë të keqe, pasi, se gëzojnë ca njerëz që fitoi Erdogani, askujt nuk i prish punë. Problemi është se ka një interferim mes atyre që gëzojnë për Erdoganin dhe atyre që gëzojnë për ISIS-in. Në Shqipëri ka disa portale informative dhe opinionbërëse që mbështeten me financime qeveritare turke, sikundër besohet se ka shoqata që i përkasin ekstremit islamik, që gjithashtu mbahen në këmbë me financime që rrjedhin nga agjenci qeveritare turke. Jozyrtarisht, mësohet se këto shoqata kanë pasur rol edhe në organizimin e xhihadistëve shqiptarë për në Siri. Natyrisht, për këto nuk ka dokumente, por strukturat e posaçme shtetërore duhet të jenë në dijeni. Parë në këtë kontekst, jehona e fitores së Erdoganit në Shqipëri nuk duhet parë thjesht si simpati e individëve të caktuar, por është një problem që duhet të marrë vëmendjen e strukturave të shtetit. Pa dyshim që, politikisht Shqipëria dhe Kosova do të vazhdojnë të jenë vëllezërit e vegjël të Turqisë, dhe për këtë nuk duhet të ketë ndryshime në politikat e Tiranës dhe Prishtinës. Por në çështjet e fesë ne duhet të tregohemi absolutisht shumë konservatorë. Jehona e festës në Ankara nuk duhet të mbërrijë në Tiranë, e aq më pak në Komunitetin Mysliman. Shqipëria duhet të vazhdojë të jetë shtet laik, pa lejuar parti fetare, pa lejuar instalimin e një sistemi politik fetar, dhe për këtë nuk duhet të ndryshojë asnjëherë kurs.

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: