Psikologia e kopshtit privat Aurora Cici, në të cilin u arrestua një edukatore për dhunë të ushtruar ndaj fëmijëve, tha për BalkanWeb  se tashmë situata është nën kontroll dhe puna në kopsht vijon e qetë.

“Nuk bëhet fjalë për dhunë të madhe fizike. Ka qenë tërheqje vëmendje ndaj dy-tre fëmijëve problematikë. Është rasti i parë në këto 7 vite që unë punoj këtu, që dorëzojmë në polici pamjet filmike, megjithatë i mbetet drejtësisë të vendosë”, tha Cici.

Ajo gjithashtu tha se ka dy vite që punon me edukatoren Denida Rexhepi, dhe u shpreh se nuk kishte parë të ndodhte një gjë e tillë, raporton për BW gazetari Mariglen Mërtiri. Megjithatë Cici shtoi se me ardhjen e policisë u dorëzuan pamjet filmike për bashkëpunim.

Denida Rexhepi
Edukatorja

Ngjarja 

Pas denoncimit të bërë nga dy nëna të dy fëmijëve, 30-vjeçarja ra në prangat e policisë për ushtrim dhune fizike ndaj fëmijëve të mitur në një kopsht privat në rrugën “Nikolla Lena”.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar pamjet filmike të kamerave të sigurisë të  këtij kopshti, bën me dije policia.

“Kjo shtetase është arrestuar , sepse me datë 04.06.2017, në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr 2, janë paraqitur shtetaset J. B. dhe M. L., të cilat kanë bërë kallzim duke pretenduar  se më datë 30.05.2017 dhe 31.05.2017, shtetasia D.R, duke kryer detyrën e saj si edukatore pranë një kopështi privat në rrugën “Nikolla Lena”, ka ushtruar dhunë fizike ndaj fëmijëve  të tyre të mitur në këtë kopsht,” shkruhet në njoftimin e policisë

(e.f/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb