U bë plot një vit nga ndarja e Floriana Garos dhe të fejuarit të saj, Tedi Ngjela. E ndërsa koha për Tedin kaloi shumë shpejt dhe gjatë kësaj periudhe gjeti një partnere të re, nisi bashkëjetesën dhe është bërë gjithashtu baba, Floriana thuhej se ende nuk e kishte harruar dashurinë e vjetër. Megjithatë, duket se për moderatoren janë shëruar “plagët” e ndarjes, pasi më në fund është në një lidhje të re.

Të paktën kështu konfirmojnë burime të “Bluetooth”, sipas të cilëve prezantuesja e “Jo vetëm modë” ka rigjetur dashurinë. Miq të afërt të Garos kanë rrëfyer se që pas ndarjes nga Tedi, Floriana tregohet më e rezervuar dhe diskrete për çështjet e saj private. Fakt për këtë është edhe intervista e saj e fundit, ku Garo deklaronte se jetën e saj sentimentale dëshironte “ta mbaj private”. Megjithatë, ajo nuk ka nguruar t’u zbulojë miqve që tashmë ka gjetur një partner të ri. “Po, më ka treguar që është njohur me dikë, por që nga ndarja me Tedin nuk tregon shumë”, thotë një burim i “Bluetooth”. Por, sipas informacioneve, duket se prezantuesja simpatike ka dobësi të veçantë për nëpunësit e drejtësisë.

Pas Tedit që ishte jurist, burimet tregojnë se partneri i ri i Garos është avokat, madje thuhet se bëhet fjalë për një avokat të rëndësishëm në Zvicër. Djali ka një studio avokatie në Gjenevë, ku ushtron prej disa vitesh profesionin e tij. Nuk dihet se si është njohur çifti, por burimet tregojnë se raporti i tyre ka filluar që përpara verës së këtij viti. Sipas tyre, prezantuesja nuk ka qenë e vetme në pushimet e saj në Bali, por shoqërohej pikërisht nga avokati me origjinë shqiptare, i cili është një nga profesionistët më të respektuar në Gjenevë. Edhe pse distanca mes dy vendeve është e madhe, duket se nuk është aspak problem për çiftin që udhëton shpesh drejt njëri-tjetrit. Vetëm ditën e djeshme Floriana është nisur për në Gjenevë, për të kaluar pak kohë me të dashurin e saj të ri.

Pushimet luksoze dhe vera e çmendur e prezantueses
Teksa vazhdonte të deklarohej single, Floriana Garo ka kaluar një verë vërtet argëtuese, me pushime luksoze dhe aventura të çmendura. Mediat shkruanin se moderatorja po shijonte beqarinë dhe po i dhuronte vetes momente relaksi për t’u mbajtur mend. Megjithatë, duket se nuk ishte plotësisht kështu. Pas shkuma-party-t në plazhet e jugut shqiptar, Floriana ka udhëtuar drejt Francës, për të vizituar qytetet e saj. Ajo ka vizituar Avignonin e Francës, ku po shijonte jo vetëm bukuritë natyrore, por edhe verën aq shumë të famshme në botë. Sidoqoftë, pikërisht në atë kohë, Garo, edhe pse shfaqej kudo vetëm, ishte e shoqëruar nga avokati që po i fitonte zemrën. Pas Francës, çifti udhëtoi drejt plazheve ekzotike të Balit.

Ndarja me Tedin
Ndonëse lajmi për ndarjen e moderatores së njohur dhe Tedi Ngjelës është diskutuar vetëm gjatë muajit nëntor të vitit të shkuar, në të vërtetë thuhej se çifti po “përpëlitej” në kriza prej rreth 6 muajsh, derisa vendosën t’i jepnin fund njëherë e përgjithmonë. Kështu ka marrë fund dashuria dhe fejesa rreth 5-vjeçare e prezantueses së “Klan-it” me djalin e biznesmenes së njohur Shefikat Ngjela. Floriana asnjëherë nuk është treguar e rezervuar në lidhje me dashurinë e saj. Ajo ka rrëfyer gjithmonë me dëshirë detaje nga një dashuri e madhe, për hir të së cilës ajo braktisi Amerikën dhe vendosi të jetonte në Tiranë, pranë Tedit. Ata kanë jetuar në një shtëpi, janë shfaqur gjithmonë për dore në daljet publike, kanë ndarë me ndjekësit e shumtë udhëtimet e bukura nëpër botë, flisnin shpesh për martesë dhe për fëmijë. Floriana dhe Tedi konsideroheshin si një nga çiftet më të konsoliduara në radhët e të njohurve.

(Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: