Vjeshta e re televizive për Floriana Garon është një itinerar udhëtimesh në destinacione të ëndërruara apo edhe aty ku mbretëron skamja. Përballë personazheve në kufinj të mbijetesës, apo investitorëve të Dubait që ushqehen me “lugë floriri”, ajo gjen personazhin e duhur në kohën dhe vendin e duhur për “Jo vetëm modë”. Në klubin e moderatorëve kryesorë të “Tv Klan”, Floriana është prezantuesja klasike e të dielave të pushimit. Por si janë ditët e saj mes njerëzve të veçantë, udhëtimeve afër dhe larg apo jeta private, i rrëfen për gazetën “Panorama”…

Si janë marrëdhëniet e tua me secilin prej moderatorëve të “Klanit”?
Unë nuk mendoj aspak për konkurrencën, aq më tepër mes drejtuesve në televizionin ku unë punoj. Sa më shumë audiencë të ketë gjithsecili, aq më e kënaqur jam, sepse do të thotë që televizioni është më i shikuari. Kur mundem, i ndjek me kënaqësi të gjitha programet e TV “Klan” dhe ndihem e lumtur dhe me fat që punoj atje. Marrëdhëniet e mia me drejtuesit e tjerë të programeve janë korrekte dhe plot respekt.

Destinacionet e tua për kronikat televizive kanë qenë deri në Dubai, apo vende të tjera turistike brenda dhe jashtë vendit. Ka ndodhur që personat që ke takuar gjatë këtyre udhëtimeve kanë kërkuar vazhdimin e një miqësie me ty?
Unë mbaj marrëdhënie normale me të gjithë të ftuarit e mi, kudo ndodhen. Përderisa i kam ftuar në program, do të thotë që i vlerësoj.

Në këtë projekt të shohim shumë afër Bert Dumanit, drejtorit të programacionit në “Tv Klan”. Si është marrëdhënia juaj e përditshme, pra ku mbaron bashkëpunimi për punë dhe ku nis shoqëria?
Unë dhe Bert Dumani kemi një bashkëpunim dhe miqësi shumë të mirë. Ai është një djalë i mrekullueshëm, që më ndihmon shumë në realizimin e programit, pasi kemi shije dhe mendime të ngjashme.

Një nga emisionet e tua të veçanta ka qenë vizita në shtëpinë e Behgjet Pacollit. Çfarë të impresioni vërtet në personalitetin e tij?
Ka qenë fat i madh të bëja një emision me të. Është frymëzuese historia e tij. Një djalë i varfër që ecte orë të tëra më këmbë për të ndjekur shkollën, por që mbarte ëndrra të mëdha. Një njeri që, falë ngulmit dhe aftësisë së tij, arriti të bëhet një ndër personalitetet më të pasura dhe influente në të gjithë shqiptarinë.

Ti kë do të veçoje si personazhin që të ka befasuar më shumë?
Investitori AR Falaknaz në Dubai më ka befasuar me korrektesën dhe përulësinë e tij, e pazakontë për dikë që ka arritur kaq shumë në jetë falë përpjekjeve dhe përkushtimit ndaj punës. Një shembull për t’u marrë nga të gjithë ne.

“Jo vetëm modë” po kthehet në një markë si format televiziv. Duket si udhëtim televiziv në botën e mrekullive dhe luksit. Ta bën kjo punë jetën më të bukur apo më të vështirë për ta menaxhuar?
Nuk është vetëm ashtu. “Jo vetëm modë” ka udhëtuar në varfërinë e skajshme të familjes Balliu, dhe së bashku me donatorët dhe Fundjava Ndryshe ka rindërtuar shtëpinë e kësaj familjeje. “Jo vetëm modë” ka shkuar të vizitojë të verbrit, e ka asistuar ndërkohë që një vajzë 11-vjeçare të shikonte botën për herë të parë, ka trajtuar problematikat e komunitetit LGBT në Shqipëri, ka treguar jetën e grave të mbuluara me shami etj. Natyrisht, në program ne bëjmë udhëtim edhe në botën e luksit e të gjërave të bukura, për të gëzuar e për të informuar shikuesit, por qëllimi është që, mbi të gjitha, të motivojmë dhe frymëzojmë. Për sa i përket punës, është ajo që dua, ndaj ma bën jetën më të bukur, po.

Sa i takon prezencës dhe dukjes në ekran, shquhesh për pamjen e rregullt dhe fustanet seriozë. Kush kujdeset dhe prej kujt frymëzohesh për stilin e veshjes?
Kujdesem vetë për përzgjedhjen e veshjeve qe vesh në intervista dhe xhirime të ndryshme, por këtë sezon në studio po vishem me “Savage” nga Bora Kokëdhima. Ajo bën për mua fustane të mrekullueshme, dhe që i përshtaten stilit tim klasik. Mua nuk më pëlqejnë ekzagjerimet në asgjë, por kujdesem që në pamje të jem vazhdimisht e kuruar dhe të dukem sa më mirë.

Pas ndarjes u komentove për lulet që mbërritën në TV “Klan”. U njohe me autorin dhe vazhdojnë të vijnë ende buqeta në punë apo shtëpi?
Lule për mua vijnë nga njerëz të ndryshëm, për arsye të ndryshme, ose fare pa arsye. Nuk e kuptoj pse lidhen me një autor specifik. Gjatë kësaj periudhe ke njohur dikë për të cilin ndjen.

Ç’mund të na rrëfesh më shumë për jetën sentimentale?
Për momentin, preferoj ta mbaj private.

E ke projektuar të ardhmen tënde dhe si dëshiron ta kesh atë?
Nuk e kam tamam të projektuar, pasi krahas gjërave për të cilat punojmë dhe synojmë të realizojmë, ndikon shumë edhe fati. Di që dua dhe do përpiqem të bëj më të mirën time kudo që do ndodhem dhe do të përpiqem ta lartësoj sa më shumë veten.

E ndjek vazhdimësinë e jetës së ish¬it, dhe çfarë ndjesie pate kur mësove se u bë baba?
Është e pashmangshme në një vend të vogël si Shqipëria të mos dëgjosh çfarë ndodh në jetën e ish-ëve të tu. Pata një ndjesi shumë pozitive dhe i uroj atij dhe familjes së tij të gjitha të mirat!
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: