Ekuipazhi i një helikopteri “Cougar” të Forcave tona Ajrore do t’i bashkohet stërvitjes shumëkombëshe “Saber Junction 17” e drejtuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në përcjelljen e pilotëve dhe teknikëve të bordit drejt të parës stërvitje jashtë vendit, e cila përkon me 66-vjetorin e krijimit të Forcës Ajrore, ishte e pranishme ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli.

Ministrja vlerësoi shtimin e pranisë dhe kontributit të Forcës Tokësore dhe asaj Detare në misionet ndërkombëtare.

“Dua të shpreh vlerësimin tim më të lartë, respektin për përpjekjet, sakrificat, kurajën, djersën dhe gjakun e derdhur për suksesin e Forcës Ajrore në përmbushje të misionit dhe detyrave të ngarkuara”, tha Kodheli

“Pilotët që do të fluturojnë drejt Gjermanisë, do të ngrihen për të kapur lartësi të reja suksesi e arritjesh, duke u bashkuar dhe marrë pjesë në dy stërvitje të rëndësishme, ‘Saber Junction 17’ dhe ‘Combined Resolve VIII’, me aleatët tanë strategjikë forcat amerikane, në kuadër të bashkëpunimit ushtarak dypalësh midis vendeve tona”, shtoi ajo.

Kodheli tha se pjesëmarrja në stërvitjen “Saber Junction 17” i shërben drejtpërdrejt përgatitjes në përmbushje të detyrimeve ndaj Aleancës, për të vendosur në të ardhmen, në gatishmëri të plotë dy helikopterë Cougar, për t’u bërë pjesë e operacioneve të NATO-s.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: