Skënderbeu mbylli dje pasdite seancën e fundit përgatitore për ndeshjen kundër Sant Hulias. Është një situatë disi absurde, pasi për hir të së vërtetës, klubi dhe trajneri Ilir Daja nuk kanë asnjë informacion për kundërshtarin që do të kenë sot përballë. Për këtë arsye, duket se trajneri dhe lojtarët do të qëndrojnë në pritje për 20 minutat e para të ndeshjes, duke studiuar mënyrën e lojës së kundërshtarit, që të krijojnë zgjidhjet e duhura për të kundërpërgjigjur sipas mënyrës së vetë.

Dukshëm Ilir Daja duket i bindur për t’u besuar në pjesën më të madhe lojtarëve që mbyllën sezonin, duke e nisur ndeshjen me Shehin në portë. Pas kapitenit bardhekuq do të rreshtohen Vangjeli dhe Mici nga krahët e mbrojtjes dhe dyshja Radas e Jashanica në qendër. Para mbrojtjes do të jetë Osmani në “kabinën” e regjisë.

Para tij, rikthehet Sabjen Lilaj si titullar, që do të ketë shok reparti një mes Shkodrës dhe Xhejmsit. Kjo duket se është dilema e vetme e trajnerit Daja, por gjasat janë që nigeriani do ta nisë nga stoli. Ndërsa në sulm, Gavazaj do të rreshtohet nga e djathta dhe Latifi në të majtë. Në majë do të luajë malazezi Vujoviç, i cili sot do të bëjë debutimin e tij me fanellën e skuadrës korçare./panoramasport

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: