Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha pati mbrëmë një darkë pune me kongresmenët Devin Nunes, Kryetar i Komisionit për Inteligjencën në Kongresin amerikan, dhe Rick Crawford, anëtar i këtij komisioni. Në krah të Bashës gjatë darkës ishte edhe Ministri i Brendshëm teknik Dritan Demiraj.

Në fokus të bisedës ishte situata në Shqipëri dhe rajon dhe bashkëpunimi strategjik me SHBA për t’u përballur me kërcënimet e krimit të organizuar, trafikut të drogës dhe korrupsionit.

Mësohet se kreu i opozitës i njohu kongresmenët amerikanë me fakte dhe të dhëna për rolin e organizatave kriminale në bashkëpunim me qeverinë për blerjen dhe manipulimin e votës së 25 Qershorit.

“Bashkëbiseduesit ndanë shqetësimin për shumë prej problemeve të evidentuara në zgjedhje dhe u shprehen në mbështetje të një reforme të thellë zgjedhore dhe zbatimit të reformës në drejtësi. Po ashtu, bëhet e ditur se ata shprehën shqetësimin për rritjen galopante të kultivimit e trafikimit të drogës në Shqipëri”, thuhet në njoftimin e PD.

Siç mësohet, Basha i siguroi kongresmenët për qendrimin e palëkundur të PD, në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe drogës, në shërbim të demokracisë, sundimit të ligjit dhe të ardhmes europiane të Shqipërisë dhe mbarë rajonit.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb