TIRANE- I është dhënë sot lamtumira e fundit kolosit të letrave shqipe, Dritëro Agollit. Në nder të kujtimit të shkrimtarit në Pallatin e Kongreseve u zhvilluan për disa orë homazhe, ndërsa familjarë, të afërm, personazhe të politikës, kulturës, miq, dashamirës u përkulën në shenjë nderimi para trupit të pajetë të Agollit.

Homazhet nisën në orën 11:30, deri në orën 13:00, ndërsa më pas arkivoli me trupin e gjeniut të letërsisë shqipe u përcoll për në banesën e fundit, drejt varrezave të Tufinës. Trëndafila dhe karafila të bardhë u hodhën sipër arkëmortit të shkrimtarit, duke u shoqëruar me duartrokitje nga të pranishmit në ceremoni. Për organizimin e aktiviteteve të ceremonialit të homazheve mortore të Agollit u ngrit enkas dhe një Komision Shtetëror.

Shkrimtari i madh ndërroi jetë në moshën 85-vjeçare të premten në sanatoriumin e Tiranës, ku ishte shtruar prej 9 ditësh pas një sëmundje të rëndë në mushkëri që e mundonte prej kohësh. Një dite më parë miq, të afërm, artistë, politikanë, qytetarë të thjeshtë kanë ngushëlluar familjen e shkrimtarit të madh Dritëro Agolli. Figura e Dritëroit vlerësohet me fjalët me të zgjedhura, nga ata që sot e ndiejnë se ai do t’iu mungojë shqiptarëve.

NISIN HOMAZHET
Ora: 10:19-Ashtu siç ishte parashikuar, kanë nisur homazhet në ndër të kujtimit të shkrimtarit Dritëro Agolli, i cili u nda nga jeta ditën e premte. Jashtë ambienteve të Pallatit të Kongreseve, familjarë, të afërm, personazhe të politikës, kulturës, miq, dashamirës, janë mbledhur për t’i dhënë lamtumirën e fundit Agollit. Arkivoli me trupin e pajetë të kolosit të letrave shqipe u përcoll me nderim brenda ambienteve të Pallatit të Kongreseve.

JETESHKRIMI
Dritëro Agolli lindi më 13 tetor 1931, në fshatin Menkulas të Devollit, në Korçë. 13 vjet të jetës i ka kaluar në këtë fshat, ku në moshën 9­vjeçare përfshihet në Luftën Nacional Çlirimtare. Aty merr detyrën si korrier i çetave partizane. Pas Çlirimit të vendit Agolli vazhdoi studimet në Gjirokastër në gjimnazin e këtij qyteti për katër vjet rresht. Ende në bankat e gjimnazit “Asim Zeneli” në Gjirokastër, ai boton në shtypin e kohës poezitë e para i frymëzuar nga Naimi dhe Çajupi, vjersha të cilat u botuan në 1947 në gazetën “Rinia”. Këtu zuri fill edhe miqësia e tij me shkrimtarin e madh Ismail Kadare. Të dy së bashku në udhëtimin e tyre si krijues e ngritën letërsinë në nivele të larta të stilit. Agolli dhe Kadare i përkasin brezit të shkrimtarëve të viteve 1960, që shpëtuan letërsinë nga dogmatizmi i realizmit socialist. Edhe pse shkruante vjersha, ëndrra e Dritëro Agollit ishte që të bëhej veteriner. Poeti dhe shkrimtari i madh e ka dashur shumë natyrën. Kafshët janë shpesh personazhe të krijimtarisë së tij. Pas përfundimit të gjimnazit në Gjirokastër, ai bëri kërkesë për të vazhduar shkollën e lartë për Zooteknikë. Kërkesa për të ndjekur studimet për veterinari i dërgohet ministrit të Arsimit, Karahman Yllit, i cili kishte dëgjuar emrin e tij si poet. Dritëro Agolli në të vërtetë është shkrimtari që ka bërë poezi për kecat, dhentë, dhitë, maçokun, qenin, kalin, lejlekun, viçin e lopën. Pavarësisht kësaj ëndrre, përfundimisht pas gjimnazit Dritëro Agolli u dërgua nga shteti me bursë për të studiuar në Shën Petërburg (në atë kohë kur Bashkimi Sovjetik ishte pjesë e kampit komunist Shën Petërburgut ia kishin ndërruar emrin dhe quhej Leningrad).

Në moshën 25-­vjeçare Dritëro Agolli u kthye nga Bashkimi Sovjetik dhe nisi punën në Tiranë fillimisht si gazetar, ku u dallua për përkushtimin e tij ndaj njerëzve të punës. Madje presioni politik i kohës e detyroi shkrimtarin të ndahej edhe me gruan e tij të parë Ninën. Pas prishjes së marrëdhënieve me ish-­Bashkimin Sovjetik, Partia Komuniste propagandoi edhe divorcet e shqiptarëve të martuar me gratë ruse.
Me gruan e parë Dritëro Agolli pati një djalë Arjanin. U martua për të dytën herë në moshën 34-­vjeçare me Sadijen, më 4 tetor të vitit 1965, me të cilën ka dhe dy fëmijë, Artanin dhe Elonën. Në Rusi, Agolli u kthye vetëm pas rënies së komunizmit, pas 31 vitesh që nga ndarja e tij me gruan e parë, ku pati një takim mallëngjyes me të birin.

Ai u shqua për reportazhet e bukura e të ndjera për njerëzit e thjeshtë dhe punëtoret, cilësi që e bëri një njeri shumë të dashur për popullin. Ka punuar për 15 vjet me radhë si gazetar i gazetës “Zëri i Popullit”. Publicistika e tij është përbëhet nga mijëra artikuj, fejtone, ese dhe reportazhe. Reportazhet e Agollit gjatë kohës që punonte si gazetar janë përmbledhur para viteve 1990 në një vëllim të veçantë.

Krahas artikujve publicistikë, Dritëro Agolli nisi të botoj vëllimet e para poetike, tregimet dhe tekste dramatike për teatrot, të cilat u shquan për frymëzime e metafora të mrekullueshme. Gjatë studimeve në Rusi, Dritëro Agolli u njoh me një studente ruse dhe pas njohjes me të ndodhi dhe martesa e tij e parë. Kjo martesë u bë në vitin 1956, kur sapo ishte kthyer në atdhe, pas prishjes së marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik.

KRIJIMTARIA
Veprën e parë me vjersha “Në rrugë dolla”, Dritëro Agolli e botoi në vitin 1958. Është vëllimi i parë i cili u prit mirë nga kritika e kohës. Shquhet si një poet popullor dhe vet e pohonte se ishte i tillë.
Hymni që i ngriti baltës së vendlindjes dhe njeriut të thjeshtë shqiptar në poemën e tij të parë të viteve ‘60, në poemën “Nënë Shqipëri”, e bëri shkrimtarin shumë popullor. Në shkolla kjo poemë studiohej si një hymn i patriotizmit dhe dashurisë për atdheun, pavarësisht se i kushtohej Partisë, temë që caktohej me orientim politik për të gjithë shkrimtarët e kohës. Madje presioni politik i kohës e detyroi shkrimtarin të ndahej edhe me gruan e tij të parë Ninën. Pas prishjes së marrëdhënieve me ish-­Bashkimin Sovjetik, Partia Komuniste propagandoi edhe divorcet e shqiptarëve të martuar me gratë ruse.
Dritëro Agolli u shfaq në letërsi si një autor me kërkesa të larta për poezinë. Gjatë gjithë karrierës së tij artistike, ka lëvruar këto gjini të letërsisë: poezinë, poemën, tregimet, novelat, romanin, dramën, skenar filmi, reportazhin, kritikën, analizën dhe raportin e lajmit.
Librat me poezi dhe poemat më të njohura të Agollit janë: “Në rrugë dola”, “Hapat e mia
në asfalt”, “Shtigje malesh dhe trotuare”, “Devoll­Devoll”, “Mesditë”, “Baballarët”, “Nënë Shqipëri”, “Fjala gdhend gurin”, “Udhëtoj i menduar”. Pas 1990­s “Pelegrini i vonuar”, “Lypësi i kohës”, “Njerëz të krisur”, “Vjen njeriu i çuditshëm”, “Lutjet e kambanës”, “Fletorkat e mesnatës”, etj.
Dritëro Agolli ka shkruar edhe tekste këngësh, madje duke marrë edhe çmime. Një ndër
çmimet ishte ai i vitit 1971, kur këngëtarja Alida Hisku, 14 vjeçe, në festivalin e 10­të merr çmimin e dytë me tekstin e Dritëro Agolli “E Paharruara”.
Gjatë krijimtarisë letrare, në të gjithë veprën e Agollit vihen re shtatë tipare kryesore në të
cilat mbështetet arti i tij. Kulti i tokës dhe i bukës, shenjtërimi i njeriut dhe natyrës, raporti personal me botën, miti i atdheut, historia e të parëve, zhgënjim për kohën dhe humbjen e saj, dhe e ardhmja optimiste. Agolli u cilësua si novator i poezisë shqiptare në gërshetimin që i ka bërë folklorit me poezinë moderne, duke sjellë perla lirike të gjuhës shqipe. Ndërkohë risi jo pak të rëndësishme Agolli solli dhe në metrikën e vargut.
Në jetën e shkrimtarit ka pasur shumë suksese, por edhe momente të hidhura, përveç ndarjes nga gruaja e parë dhe djali. Në Kongresin IV të Komitetit Qendror, Agolli kalon një nga momentet më kritike. I duhej të bënte autokritikë si kryetar i Lidhjes dhe të sqaronte arsyet se përse pinte dhe ndonjëherë fliste “pa menduar”. Shkrimtari njihej si një karakter rebel.
Romani më i bukur i tij, “Shkëlqimi dhe Rënia e Shokut Zylo” i solli dhe jo pak andralla
autorit. Një vit pas botimit, Mehmet Shehu i thotë Agollit se, “me atë libër na ke
shkatërruar administratën”. Agollit nga censura komuniste i janë ndaluar tri libra. I pari ka qenë “Zhurma e erërave të dikurshme”, në vitet 1960, drama “Mosha e bardhë” në vitet 1980 dhe një seri tregimesh në revistën “Nëntori”. Dy të fundit janë ndaluar gjatë kohës që ishte kryetar i Lidhjes. Ai e botoi librin “Zhurma e erërave të dikurshme”, në vitin 1964, por vetëm një vit më pas ky libër u hoq nga qarkullimi dhe Agolli u kritikua, pasi me këtë libër e paraqiste me pesimizëm realitetin komunist.
Nga romanet e Agollit janë bërë një sërë filmash artistikë. Ndër filmat më të mirë janë “I
teti në bronz” (romani “Komisari Memo”), “Njeriu i mirë”, “Apasionata”, “Njeriu me top”. Shkrimtari i shquar, Dritëro Agolli, veç poezive, romaneve, tregimeve, ka shkruar edhe skenarë filmash. Agolli është edhe autor i një sërë skenarëve për dokumentarë. Gjithashtu ka qenë edhe autorë dramash. Dy janë dramat më të njohura të Dritëro Agollit. “Mosha e bardhë”, e cila u ndalua nga botimi gjatë diktaturës, si dhe drama “Fytyra e dytë”.

Dritëro Agolli është i njohur dhe si përkthyes. Ka përkthyer nga anglishtja poezitë e poetit Robert Bërns dhe nga frëngjishtja poezitë e poetit Pol Elyear, i cili ka dhe disa poezi për Shqipërinë.
Ndërsa veprën më të madhe në përkthim Agolli e ka nga rusishtja. Botimi voluminoz, “Shekulli i artë”, është një nga më të arrirët artistikisht. Agolli ka përkthyer poetët më në zë të shekullit të 19­të në Rusi, si Pushkin, Ahmatova, Bllok, Lermontov dhe shumë të tjerë. Për shumë vite Agolli ka dhënë kontribut edhe në zhvillimin e letërsisë shqipe. Ai ka qenë kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve për 19 vjet. U emërua në vitin 1973 dhe u tërhoq nga ky post më 31 janar 1992. Gjatë kohës së komunizmit, Agolli ka qenë kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve, anëtar i Komitetit Qendror të PPSH­së dhe deputet në disa legjislatura. Nuk ndryshoi parti pas rënies së komunzimit, në vitet ai u bë ‘90 anëtar i Partisë Socialiste me shumicën e protagonisteve të ish­partise së së punës, por duke dhënë një kontribut të veçantë në reformimin e kësaj partie. Për herë të fundit Agolli ka qenë deputet i Parlamentit për gjashtë muaj në vitin 2001. Dritëro Agolli është zgjedhur deputet për 30 vjet me radhë edhe në kohën e diktaturës, edhe dhjetë vjet në kohën e tranzicionit.

ANGAZHIMI POLITIK
Ai ka qenë kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve për 19 vjet. U emërua në vitin 1973 dhe u tërhoq nga ky post më 31 janar 1992. Gjatë kohës së komunizmit, Agolli ka qenë kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve, anëtar i Komitetit Qendror të PPSH­-së dhe deputet në disa legjislatura. Në vitet ‘90 ai u iniciator i reformimit të Partisë së Punës dhe njihet si themelues apo “patriark” i Partisë Socialiste duke dhënë një kontribut të veçantë në reformimin e kësaj partie. Për herë të fundit Agolli ka qenë deputet i Parlamentit për gjashtë muaj në vitin 2005. Dritëro Agolli është zgjedhur deputet për 30 vjet me radhë edhe në kohën e diktaturës, edhe dhjetë vjet në kohën e tranzicionit.

VLERËSIMET
Dritëro Agolli cilësohet si një nga shkrimtarët më të mirë të të gjitha kohërave në letërsinë shqipe. Jo vetëm në antologjinë shqiptare, por ai tashmë është i përfshirë në antologjitë e disa vendeve të botës. Për kontributin e tij të jashtëzakonshëm shkrimtari i madh, Dritëro Agolli, veç çmimeve të tjera, është vlerësuar edhe me titullin e lartë, “Nderi i Kombit”. Është shpallur “Qytetar Nderi” i Tiranës në vitin 2003. Dritëro Agolli është fitues i katër çmimeve të Republikës dhe i disa çmimeve vjetore në letërsi. U pranua anëtar i Akademisë së Firences “Muzat” në Itali. Përveç qytetit të Tiranës, ai është “Qytetar Nderi” edhe i qyteteve të Korçës, Gjirokastrës etj. Nuk numërohen vlerësimet. Në 82 vjetorin e Lindjes në vitin 2013, shkrimtari i madh Dritëro Agolli është vlerësuar edhe me çmimin “Carlo Levi” në Itali.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: