DURRES- Kjo është pajisja që i është kapur mbrëmjen e djeshme një shtetasi italian në Portin e Durrësit, e cila dyshohet se përdoret për përgjime. “News 24” dhe “BalkanWeb” ka siguruar foton ekskluzive të pajisjes, e cila iu gjet në posedim italianit me inicialet G.I, teksa po tentonte të largohej nga Shqipëria.

Referuar burimeve nga policia e Durrësit, gazetarja Klodiana Lala thonë për “BalkanWeb” se, italiani ka deklaruar para grupit hetimor se pajisja shërben për matjen e cilësisë së ujit.

Por, hetuesit thonë se deklarimet e shtetasit italian janë të dyshimta, pasi pajisja duket qartë që kryen shërbime të tjera elektronike, të cilat nuk kanë lidhje me cilësinë e ujit.

Tashmë pajisja është dërguar për ekspertizë pranë laboratorit shkencor, dhe priten rezultatet për të përcaktuar se për çfarë shërben realisht pajisja që u gjet në posedim të italianit.

Megjithatë, italiani me inicialet G.I nuk ka pranuar të tregojë se nga cili autoritet publik apo agjenci private është kontraktuar për të ofruar shërbimet e tij. Aktualisht ai ndodhet i shoqëruar në polici, derisa sa të zbardhet ngjarja.

Mësohet se shtetasi italian ka qëndruar për pak ditë në një zonë të frekuentuar të Durrësit, i shoqëruar nga një zonjë po italiane, dhe ditën e diel po largohej nga vendi ynë, moment kur edhe është ndaluar nga policia.

Ende nuk është e qartë se si ka mundur të fusë në Shqipëri këtë pajisje, e cila është pikasur vetëm kur ai ka synuar të largohet me traget nga porti i Durrësit drejt vendlindjes.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb