KORCË- Ministri i Jashtëm grek Nikos Kotzias ka qëndruar për rreth tre ditë në qytetin e Korçës, i shoqëruar edhe nga ministri shqiptar Ditmir Bushati. Dy homologët janë përpjekur të gjejnë zgjidhje të përbashkëta për çështje të hershme dhe të reja, që nga mbajtja në fuqi e ligjit të luftës nga Greqia, çështja çame, apo dhe çështja e kufirit detar mes dy vendeve.
Por axhenda e ministrit grek nuk ka qene e mbushur vetëm me takime. Gazetarja Iris Rezhda informon “BalaknWeb” se në Korçë i pari i diplomacisë greke ka shijuar edhe gatimet tradicionale, që nga kërnackat, lakrorin e deri tek vera e rakia.
Kështu gjatë së premtes, Kotzias e një pjesë e mirë e delegacionit që e shoqëronte, të cilët e kishin për herë të parë vizitën në qytetin e serenatave, zgjodhën të ecin në këmbë përgjatë qendrës së qytetit e pazarit të Korçës.
Ndërsa vetë kryebashkiaku Sotiraq Filo, u angazhua t’ju shpjegojë qendrat më të rëndësishme historiko-kulturore të qytetit, mysafirët nga Greqia shijuan edhe gatimet tradicionale të Korçës. Në restorantin pranë pazarit siç mëson “BalkanWeb” ministri Kotzias ka shijuar kërnackat e famshme, mishin e kecit, sallatra mikse e raki.
Në ditën e dytë të vizitës, delegacionet kanë zgjedhur të qëndrojnë në një restorant afër malit të Moravës, ku veç serenatave ka pasur edhe një menu të zgjedhur me: Pulë fshati në furre, fileto me proshutë dhe djathë nga kuzhina franceze, lakror 6 lloje, lloje të ndryshme verërash, si dhe raki rrushi e mbajtur në but prej lisi.
Atmosfera ka qenë e ngrohtë e tejet miqësore mes dy delegacioneve, e për ta bërë sa më perfekte nuk ka munguar as muzika e një grupi me kitarë. Repertori nuk ishte vetëm shqiptar, por edhe grek, e palët siç duken edhe në një foto duken mjaft të kënaqur.
(m.a/BalkanWeb)