Në stadiumin e qytetit të Kamzës kanë nisur punimet për plotësimin e kushteve të nevojshme që i duhen këtij impianti për liçensimin në Kategorinë Superiore. Xhelal Mziu, kryetari i bashkisë, si dhe presidenti së bashku me trajnerin e ekipit, Naim Qarri dhe Ramazan Ndreu kanë qenë të parët që inspektuan punimet në fushën e blertë.

Mziu u shpreh se për rikualifikimin e stadiumit u nevojit një projekt me Federatën Shqiptare të Futbollit dhe financim i bizneseve private sportdashëse në qytet.

“Sot po fillojmë zbatimin e një projekti që kemi me FSHF-në për tapetin dhe komplet infrakstrukturën e fushës, si dhe standartet e tjera të caktuara. Jemi të angazhuar maksimalisht për t’i realizuar në kohë të shpejtë.

Do të ketë mbështetje financiare shumë më shumë se vjet, po bashkëpunoj me disa biznese të qytetit që janë sportdashës dhe që duan sport konkurrues. Ata janë të gatshëm të jenë pjesë. Edhe presidenti dhe trajneri nga sot do të fillojnë përzgjedhjen e lojtarëve për edicionin që vjen”, u shpreh Mziu për “Supersport”.

“Mendoj që ata lojtarë që nxorrën Kamzën në Superiore do të jenë baza e ekipit, por do kemi edhe përforcime të tjerë në mënyrë që të rritet niveli. Mendoj se me kapacitetin që kemi, si financiar edhe profesional, do jemi ndër ekipet më të mira në Superiore”, tha trajneri Ramadan Ndreu.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb