Protesta e sotme e opozitës në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” para kryeministrisë u shoqërua me masa të forta sigurie nga ana e Policisë së Shtetit.

Sipas planit të hartuar për ruajtjen e rendit dhe sigurisë u angazhuan mbi 2 mijë policë nga komisariatet e Tiranës, njësia Shqiponja, Forcat Operacionale dhe ato të Ndërhyrjes së Shpejtë.
snajper
Për vetë rëndësinë e veçanë, godina qeveritare më e blinduar nga Policia ishte pikërisht ajo e Këshillit të Ministrave. Grilat e dritareve të kryeministrisë pothuasje gjatë gjithë protestës qëndruan të mbyllura ndërsa para saj u vendos një gardh teli, prapa të cilit qëndron kordoni policor, kësaj here jo vetëm me police femra por edhe meshkuj, të pajisur edhe me maska kundragaz.

Ndërkohë çfarë nuk u vu re gjatë protestës ishte pikërisht fakti se në godinat më të larta pranë bulevardit ku u zhvillua protesta kishte efektivë të Policisë dhe Gardës së Republikës, të pajisura jo vetëm me dylbi, kamera filmike dhe aparat fotograrik por edhe me snajpera, që monitoronin nga lart zhvillimin e tubimit.
snajper 2
“BalkanWeb” ka mundur të sigurojë 3 foto të realizuara nga lart ku dallohen qartësisht forcat e sigurisë që kishin zënë pikat kyçe në tarracat e kryeministrisë, kryesisë së Kuvendit dhe në lartësinë e dy kullave binjake.

Konkretisht, “BalkanWeb” raporton se mbi godinën e kryeministrisë kanë qenë 6 efektivë të Gardës dhe Policisë të pajisur me dylbi dhe snajper.
snajper 3
Në godinën e kryesisë së Kuvendit kanë qenë 2 punonjës të Gardës, ndërsa mbi kullat binjake, kanë qenë respektivisht 3 snajperë në njërën godinë dhe 1 në tjetrën, raporton “BalkanWeb” referuar fotove që ka siguruar.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb