Ervin Dalipaj u ekzekutua sot në një atentat pranë mbikalimit të Sukthit në Durrës, ndërsa ishte në arrati për një akuzë të rëndë, atë të rrëmbimit, torturimit dhe vrasjes së Gazmend Çollakut. Dalipaj ka mbajtur postin e Shefit Kundër Krimit Ekonomik në Tiranë deri në tetor të vitit 2013, kur u pezullua nga detyra me urdhër të ish-ministrit Tahiri, pasi nuk kreu detyrën gjatë operacionit “Fundi i Marrëzisë” për bllokimin e lojërave të fatit.

Ervin Dalipaj akuzohej gjithashtu për rrëmbimin dhe vrasjen e Gazmend Çollakut në 6 janar të 2016-ës në Durrës.

Bashkë me Denis Shtrazën ata akuzoheshin për veprat penale “Rrëmbim ose mbajtje peng e personit” e paraprirë ose e shoqëruar me tortura fizike dhe kur është shkaktuar vdekja e tij”, e kryer në bashkëpunim, “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake” dhe “Mbajtje pa të drejtë e uniformës”.

Fillimisht dy të dyshuarit janë shoqëruar menjëherë pas ngjarjes nga Policia Gjyqësore, por më pas janë lënë të lirë. Deri në përfundim të hetimit, nën arrest ka qenë vetëm i pandehuri Denis Shtraza. Ndërsa i pandehuri tjetër, Ervin Dalipaj nuk ka qenë në kërkim.

VRASJA E ÇOLLAKUT
Sipas Prokurorisë Ervin Dalipaj dhe Deniz Shtraza në bashkëpunim midis tyre dhe në bashkëpunim dhe me dy persona të tjerë, kanë rrëmbyer shtetasin Çollakun, e kanë lidhur në këmbë dhe duar me fasheta të zeza, e kanë transportuar si fillim me një mjet tip “Audi”, për në fshatin Murqin të Krujës dhe e kanë vrarë me armë zjarri.

Po ashtu Dalipajt në datën 06/01/2016 rreth orës 23:40 kur është shoqëruar nga Policia e Durrësit i është gjetur dhe sekuestruar një dokument me nr. xxxxx i lëshuar nga Drejtoria e Policisë Tiranë dhe një stemë metalike me mbishkrimin “Policia” të cilat i mbante pa lejen e organeve kompetente. Viktima ka qenë punonjës i policisë nga viti 2000 deri në vitin 2012 kur është liruar.

LARGIMI NGA PUNA
Ervin Dalipaj ka qenë shef i sektorit Ekonomiko-Financiar në Drejtorinë e Përgjitshme Qëndrore Tiranë, deri në tetor të vitit 2013, kur u shkarkua nga kjo detyrë me akuzën “Shpërdorim Detyre” dhe “Rrjedhje Informacioni”, gjatë operacionit “Fundi i Marrëzisë” që kishte për qëllim mbylljen e lojrave të paligjshme të fatit.

Ishte vetë Ministri i Brendshëm në atë kohë, Saimir Tahiri i cili urdhëroi pezullimin nga detyra të dy shefave të Sektorit Kundër Krimit Ekonomik në Tiranë dhe në Korçë. Ministri e dha urdhërin pasi sipas policisë, rezultoi se në aksionin për bllokimin e lojërave të fatit të dy shefat nuk kryen detyrën e tyre dhe dyshohet gjithashtu se bashkëpunuan me pronarët, për t’i fshehur policisë makineritë (e lojërave të fatit).

Në njoftimin e datës 15 tetor 2013 thuhej: “Nisur nga konstatimet e bëra për një numër shkeljesh ligore gjatë operacionit, me urdhër të ministrit Saimir Tahiri, SHKB ka nisur hetimet në të gjithë sektorët e luftës kundër krimit ekonomik, të cilët me mosveprimet e tyre në përmbyshje të të planit të masave të hartuar nga Drejtoria e Përgjithshme u kanë krijuar mundësinë subjekteve të ndryshme të fshehin aktivitetin e tyre të paligjshëm. Në këtë kuadër janë pezulluar dhe po hetohen për shpërdorim detyre dhe rrjedhje informacioni shefat e sektorëve të krimit ekonomik, në tiranë dhe Korçë, E.D. dhe O.M.”

Dalipaj, që ishte në kërkim si bashkautor i vrasjes së Gazmend Çollakut ka qenë personi që i vuri prangat babait të ish-ministrit Saimir Tahiri në vitin 2013, nën akuzën e kontrabandës së medikamenteve.

Babai i ish-ministrit, Bashkim Tahiri, së bashku me dy persona të tjerë, u arrestua më 25 mars të vitit 2013 për kontrabandë ilaçesh. Në atë kohë, Ervin Dalipaj ishte shef i Sektorit Kundër Krimit Ekonomik në Drejtorinë e Policisë Tiranë dhe drejtonte hetimet ndaj babait të Saimir Tahirit, duke çuar në arrestimin e tij. Megjithatë, disa javë më vonë, babai i Tahirit u lirua nga të gjitha akuzat.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb