Vetëm pak muaj pasi kryeministri Edi Rama, mori nderimin më të madh zyrtar të Republikës franceze, urdhrin “Komandanti i Legjionit të Nderit”, tashmë është një anëtare e kabinetit të tij që merr një “urdhër” nga Franca.

Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, është nderuar me urdhrin “Oficere e Nderit në Art dhe Kulturë” nga Ministria e Kulturës dhe Komunikimit të Francës, njëri nga katër titujt e nderuar ministerialë të Republikës Franceze që akordohen për personalitete në Art dhe Kulturë.

Ky titull iu akordua Kumbaros nga ministrja e Kulturës dhe e Komunikimit e Republikës së Francës, Audrey Azoulay, me motivacionin për kontribut të lartë në fushën e kulturës dhe të bashkëpunimit shqiptaro-francez.

Kumbaro sipas njoftimit për shtyp të ministrisë së Kulturës ka dhënë një kontribut të veçantë në marrëdhëniet kulturore shqiptare-franceze me synimin e promovimit të vazhdueshëm të kulturës shqiptare në Francë dhe në Europë, por edhe forcimi i lidhjeve mes dy vendeve tona në fushën e kulturës dhe trashëgimisë kulturore si ura komunikimi dhe shkëmbimi të vlerave reciproke.

Kujtojmë se ministrja Mirela Kumbaro dhe homologia Audrey Azoulay nënshkruan në vitin 2016 deklaratën për bashkëpunim ndërmjet Ministrisë së Kulturës dhe Komunikimit të Francës dhe Ministrisë së Kulturës së Shqipërisë lidhur me bashkëpunimin kulturor.

Urdhri “Oficere e Nderit në Art dhe Kulturë” jepet për persona të veçantë që dallohen për kontribute të larta në fushën e kulturës dhe komunikimit në Francë dhe në botë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: