TIRANE– Partia Fryma e Re Demokratike ka prezantuar kandidatët për deputetë për zgjedhjet e 25 qershorit. Gjatë fjalës së tij, kreu i FRD, Bamir Topi u shpreh se partia që ai drejton do i përgjigjet të gjitha sfidave dhe do prezantohet denjësisht në zgjedhje. Duke komentuar aktualitetin politik, Topi tha se rrënimi i shtetit nisi më 21 prill 2008, pak ditë pas Gërdecit. Topi komentoi edhe marrëveshjen Rama-Basha, duke thënë se ata kërkojnë të marrin fitore të pamerituar poshtë tavolinës.

“Rrënimi i shtetit filloi me 21 prill te vitit 2008, pak dite pas ngjarjes se Gërdecit. Unë kam qenë në atë kohë në presidencë. Ne ishim patriotë dhe vizionarë që nuk vendosëm interesin polik. Ato aktorë që ishin atëherë janë prapë sot. Ata që ndërtuan 21 prillin e vitit 2008, ndërtuan marrëveshjen e dytë që nuk demonstroi gjë tjetër, por krizën e institucioneve. FRD ka kërkuar që të reformohet kodi zgjedhor, të bindur se drejtësia fillon ditën e zgjedhjeve. Ka një lloj dyfytyrësie nga politika aktuale. Ata kërkojnë drejtësi dhe të marrin fitore të pamerituar poshtë tavolinës. Ata na vendosën nën presion. Basha që sulmonte FRD-në nga çadra bëri ç’mos që të dilte nga çadra”- tha Topi.

Ndërkohë kreu i FRD komentoi edhe ngjarjet brenda kampit demokrat si dhe fjalimin e Bashës që e etiketoi FRD si parti mercenare. Ai tha se ka dhënë kontributin tij në PD, por është zeruar .

“Si mund të jetë një lider demokrat ai që në mënyrë publike e etiketon FRD si parti mercenare se kërkon të marrë pjesë në zgjedhje. Nuk kam pasur merak për ngjarjet në PD, por e kam konsideruar PD si një aset për demokracinë shqiptare. Si një vend ku kemi edhe aksionet tona politike dhe kemi kontributet tona që u zeruan”- tha Topi.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: