TIRANE- Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka thirrur pasditen e sotme në një mbledhje urgjente aleatët pas ftesës së kryeparlamentarit Ilir Meta, për një tryezë ndërpartiake.

Mbledhja në selinë blu filloi rreth orës 18:15, disa minutua para se të fillonte tryeza e thirrur nga Ilir Meta, ku parashikohej pjesëmarrja e të gjitha partive parlamentare.

Takimi i Bashës me aleatët zgjati deri në orën 19:30, dhe mësohet se gjatë mbledhjes u vendos që PD dhe aleatët të mos i bashkohen kësaj tryeze.

I vetmi aleat i Bashës që shkoi për disa minuta në Kryesinë e Kuvendit, është kreu i PAA, Agron Duka, i cili tha se këtë e bëri për kortezi, pasi ia kishte kërkuar Ilir Meta.

Mësohet se gjatë mbledhjes, kryedemokrati ka diskutuar me aleatët mbi situatën politike në vend, si dhe ka informuar ata mbi takimet e zhvilluara një ditë më parë me negociatorët e BE.

Më herët, deputeti Oerd Bylykbashi është takuar me kreun e Kuvendit, Ilir Meta, po nuk dihet se për çfarë është biseduar konkretisht.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: