TIRANE– Rektori i Universitetit “Luarasi” Arben Malaj ka komentuar situatën politike, premtimet elektorale të politikanëve si dhe atë çka ato ofrojnë për një ekonomi më të fortë. I ftuar në rubrikën ‘Opinion’ në ‘News24’ Arben Malaj tha se partitë politike duhet të bëjnë publike dokumentet elektorale për të parë krahasimin se sa i mbajnë premtimet që ofrojnë.

“Ka një keqpërdorim të statistikave në fushatë. Realisht gjithë garat elektorale duhet të bazohen tek ajo çfarë ata ofrojnë. Treguesi kryesor mbetet punësimi, por është e vështirë të kuptohen statistikat. Do ishte mirë që partitë politike këto dokumente që miratojnë në kongrese t’i publikojnë për qytetarët që të bëhet ballafaqimi i treguesve dhe të kuptohet ajo që premtohet në fushatë. Dokumenti elektoral është një kontratë. Duhen mënyra më efikase për matjen e sukseseve të partive. Duhet të thjeshtësohen kontratat politike, pasi politikanët luajnë me premtimet e tyre.”- tha Malaj.

Ndërkohë, Arben Malaj ka komentuar edhe premtimet e Partisë Socialiste se do të hapë 220 mijë vende pune. Ai u shpreh se duhet parë në radhë të parë shkalla e papunësisë dhe ulja e saj. Ndërkohë sa i përket platformës së ofruar nga PD për vendosjen e taksës së sheshtë, Malaj u shpreh se PD vjen në fushatë me modelin amerikan.

“Më shumë ka të bëjë shkalla e lartë e papunësisë. A do mbajë premtimin që ta ulë papunësinë në 14% në 9% kjo mbetet për t’u parë. Ulja e papunësisë është sfida më e madhe e qeverive. Pra kush janë reformat konkrete që rrisin punësimin. Duhet të argumentohen premtimet si do arrihen objektivat. Sa i përket PD-së, ajo vjen në fushatë me modelin amerikan ku në fokus janë shtresat e mesme. Nëse ul tatimin të ardhurat bien”- tha Malaj.

Ndër të tjera rektori i Universitetit ‘Luarasi’ tha se duhet të funksionojë mirëqeverisja që të rritet ekonomia shqiptare. Ai përshëndeti edhe marrëveshjen PD-PS.

“Ekonomia shqiptare që të rritet duhet të funksionojë mirëqeverisja. Pra duhet të garantohet prona, drejtësia të jetë e pavarur, të mos ketë korrupsion etj. Duhet të thithen investimet e huaja. Nuk ka të dhëna për rritje të investimeve të huaja. Një nga reformat që do sjellë përmirësim në ekonomi është sistemi gjyqësor. Ekonomitë zhvillohen kur njerëzit marrin më shumë risk. Përshëndes marrëveshjen PS-PD. Nuk është eksperienca e parë që ne bashkëqeverisim në këtë lloj mënyre. Nuk është një përvojë e konsoliduar. Mënyra si do sillen këta ministra teknikë është një investim për PD dhe vendin në tërësi. Ministrat janë teknikë, por kanë stafe politike. Ministrat teknike duhet të njohin të gjitha detyrimet e ministrave të mëparshëm. Ministrat teknikë duhet të thërrasin konsulentët e huaj. Gjithashtu ministrat teknike nuk mund të prekin financat publike”-tha Arben Malaj.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: