Merkato e transferimeve ka nisur të futet në fazën më interesante. Kjo, për vetë faktin se secila skuadër ka nisur apo shumë shpejt do të nisë përgatitjet për edicionin e ri dhe tashmë punën më të madhe e kryejnë drejtorët sportivë dhe menaxherët e futbollistëve.

Mirëpo, së fundmi, tregu i lojtarëve shqiptarë është futur në një rrjedhë shumë interesante. Disa interesime, vlerë kartoni të rritur ndjeshëm dhe skuadra “big” që janë pas shqiptarëve. “Panorama Sport” sjell interesimet dhe lakimin e të gjithë emrave të futbollistëve të Kombëtares deri në këtë momentet e merkatos, për vlerën e kartonit aktual të lojtarit, si dhe emrat e ekipeve që kanë shprehur interesim konkret.

INTERESIMET
Elseid Hysaj është për momentin futbollisti me vlerën më të shtrenjtë sipas “Transfermarkt” në Kombëtare. Ai duket i palëvizshëm nga Napoli, por sajtet angleze e përmendin emrin e tij në dëshirat e ekipeve si Çelsi apo Arsenal, për të cilin mund të paguajnë rreth 25 milionë euro. Mirëpo, Napoli në klauzolë ka vendosur dyfishin e saj për ta lënë të lirë. Të tjerë emra “big” janë Sadiku dhe Cikalleshi, të cilët bëhet fjalë të kushtojnë rreth 2 milionë euro në rast se largohen nga ekipet e tyre. Në Itali ka gjithashtu interesime me një vlerë të përafërt në rreth dy milionë euro edhe për Memushajn. Nga Bolonja te Benevento në Itali, por edhe Sion në Zvicër janë duke bërë maksimumin për shërbimet e tij.

Ajeti e Gjimshiti mund të kenë të ardhme të njëjtë te Krotone, ndërkohë që Kaçe ka disa interesime në Qipro dhe Greqi. Rei Manaj është një emër që mund të mbesë i huazuar në Serinë B, ku Karpi është duke diskutuar detajet e transferimit, në bazë të informacioneve nga mediat italiane.

“VLERA 0”
Andi Lila dhe Ermir Lenjani janë për momentin lojtarë të lirë dhe ekipet që duan shërbimet e secilit, mjaftojnë që t’i bindin për pagën. Për të parin ka interesime në Greqi dhe Azerbajxhan, ndërkohë që i dyti ka disa pista në Francë dhe Turqi./panoramasport

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: