TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike ka dalë sot para mediave për të sqaruar një deklaratë të tijën mbi katolikët të bërë për median austriake “Der Standard”, ku foli për inkriminimin e institucioneve dhe parlamentit.

“Prej disa ditësh një fushatë shpifjesh dezinfomimiesh me frymë përçarëse kombëtare ka nisur nga e njëjta mendje e prishur që prej muajsh dezinformom dhe përpiqet të përçajë shqiptarësh. Duke marrë shkas nga një intervistë e imja në një gazetë ndërkombëtare, kjo fushatë dezinfomime ka stigmatizuar një nga komunitetet fetare në Shqipëri, katolikët”, tha Basha.

Ndër të tjera Basha vlerësoi katolikët pasi sipas tij dëshmojnë vlera. Kryedemokrati u shpreh se do luftojë për të drejtat e çdo besimtari me ‘Republikën e Re’.

“Ky keqinformim keqadashës bëhet cinik. Dua tju shoh në sy dhe tju them të dashur katolikë se vlerësimi im për ju është i pamasë. Nuk do harroj se përmes qëndresës tuaj keni dëshmuar vlera. Hedh me përbuzje këtë fushatë shpifjesh dhe denigrimesh. Mbetem i vendosur për të luftuar për të drejtat e çdo besimtari në një Republikë të Re”- tha Basha.

Në intervistën e shkurtër të dhënë për “Der Standard” pak ditë më parë, kreu demokrat u shpreh ndër të tjera se “katolikët e Veriut kanë qenë bastioni ynë. Pra zoti Rama ka rekrutuar llumin e Veriut për të shkatërruar bastionin tonë”.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: