“Rilindja Demokratike”, organi zyrtar i PD-së duket se është pozicionuar qartë në debatin që po zhvillohet brenda partisë sa i përket përgjegjësinë për humbjen në zgjedhje. Në një editorial të gjatë që mban firmën “RD”, fshikullohen ashpër të gjithë kritikët e Bashës, që sipas artikullit janë thjesht të mllefosur nga inatet personale. Në editorialin e “RD” pretendohet gjithashtu se askush në PD nuk mund ta ndalojë Bashën të rikandidojë për kryetar të partisë. “BalkanWeb” publikon më poshtë shkrimin e plotë.
Nga RILINDJA DEMOKRATIKE
Për një garë të lirë me alternativa dhe pa inate personale
Kryetari i PD, Basha i hapi rrugë mbrëmë zgjedhjeve për postin e Kryetarit të PD me një anëtar një votë, duke shpallur vetngrirjen e tij nga posti si Kryetar Partie dhe duke ia deleguar këto kompetenca Sekretarit të Përgjithshëm, Ristani dhe dy nënkryetarëve të partisë.

Basha pranoi përgjegjësinë për rezultatin e zgjedhjeve, ndërsa deklaroi se është i vendosur që mos i braktisë demokratët. “Unë e di se çfarë ka ndodhur dhe jam i vendosur të mbaj përgjegjësi. Jo duke ikur, jo duke braktisur demokratët dhe qindra mijë shqiptarë, por duke luftuar deri në fund, për ta dhe me ta”, u shpreh Basha.

Kryetari i PD i ka dhënë kështu përgjigje kritikëve të tij që kanë kërkuar dorëheqjen e Bashës. Dorëheqja është një vendim personal kur e gjykon vetë personi. Në këtë rast, Basha ka vendosur që të ngrijë kompetencat e tij si Kryetar i PD, duke mos ndikuar në procesin e garës brenda partisë dhe duke ia deleguar këtë përgjegjësi dy nënkryetarëve dhe Sekretarit të Përgjithshëm.

Ajo çfarë kërkohet nga kritikët është se ai të mos kandidojë më për postin e Kryetarit, mirëpo a mund të jetë kjo një kërkesë legjitime në një parti dhe një shoqëri të lirë që operon me rregullat e garës dhe votës. Humbja e PD dhe shifrat aspak pozitive kanë sjellë një dëshpërim të madh tek demokratët, por duhet ndarë mirë ky dëshpërim i demokratëve nga kalkulimet për interesa politike të individëve të caktuar.
Faqja-e-pare-21-696x883
Në garën për Kryetar të PD është i lirë të kandidojë kushdo. Askush nuk është i përjashtuar nga gara dhe rregullat e saj janë të përcaktuara. Do të votojnë demokratët dhe rezultati që del prej tyre do të duhet që të respektohet. Është koha që PD duhet të reagojë për rezultatin e zgjedhjeve, por në asnjë mënyrë reagimet të kthehen në inate personale.

Nëse do të lejohet që inatet personale të mbizotërojnë, atëherë kjo nuk do të sjellë asnjë dobi nga thelbi i garës, i cili nuk është për të zëvendësuar një individ me një individ tjetër, por për të ringritur një parti fituese, tek e cila nuk është i tepërt askush dhe ku të gjithë duhet të jenë të bashkuar për të arritur suksesin dhe fitoren.

Gara nuk ka nisur ende, ndërsa ajo që shihet është se ka shumë mllef dhe shumë pak konkurencë. Është koha që të ketë konkurencë dhe ballafaqim idesh dhe alternativash. Drejt kësaj duhet të shkohet në mënyrë që nesër askush të mos ndjehet humbës, pavarësisht rezultatit të zgjedhjeve në garën për Kryetarin e Partisë.

Basha ka bërë hapin e parë, duke u zhveshur nga kompetencat në parti, por askush nuk mund të ndalojë atë dhe askënd tjetër që të rikandidojë për postin e Kryetarit të Partisë. Heqja e të drejtës së kandidimit nuk mund t’i mohohet askujt në një shoqëri të lirë. Sa më shumë vlera të konkurojë aq më i mirë do të jetë produkti.

Demokratët kanë ditur të tregojnë gjatë këtyre viteve se ata nuk janë votues ushtarë sikurse ndodh me socialistët. Ata janë një busull e mirë politike që dinë të vlerësojnë individët dhe dinë të peshojnë fituesit dhe humbësit. Për të kuptuar më mirë këtë mjafton të shikohen votat e demokratëve ndër vite.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb