TIRANË-Gjergj Bojaxhi ka shpallur sot kandidaturën i pavarur për kreun e Bashkisë së Tiranës. “Me vendosmëri e kurajë nisim një sfidë të vështirë. Ne në Tiranë jemi pa siguri dhe qetësi, pa rrugë të lira. Të bashkohemi për të kthyer qytetin te qytetarët. Tiranën do bëjmë qytet me dinjitoz për të gjithë”- është shprehur Bojaxhi.
Ai erdhi në politikë përmes KOP¬it të PD¬së, por tashmë ka shkëputur lidhjet me të. Bojaxhi ka vendosur të mos konkurrojë nën siglën e asnjë partie, pavarësisht se miqtë e tij janë të shumtë në politikë, konkretisht brenda së djathtës ku militoi për disa vite me radhë. Mësohet se prej disa ditësh Bojaxhi ka ngritur shtabin e tij elektoral, madje me disa prej ish¬aktivistëve të PD¬së. Ai pritet të marrë vota nga e djathta, por edhe nga të pakënaqurit e pushtetit të majtë. Admirues i natyrës dhe i gjithçkaje që ajo prodhon për njeriun, Gjergj Bojaxhi prej shumë vitesh është pjesë e zhvillimeve politike në Shqipëri. Por kohët e fundit qëndroi paksa larg. Ish¬drejtori i KESH, ishzëvendësministër i Ekonomisë dhe anëtar i Këshillit Bashkiak në Tiranë, së shpejti pritet ta shohim ndryshe, kandidat i pavarur në garën për qytetarin e parë të Tiranës. Bojaxhi mban gradën master për ekonominë ndërkombëtare dhe ka punuar në disa nga institucionet më të rëndësishme në Uashington, si konsulent në Bankën Botërore. Ai u kthye nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për t’u bashkuar me PD në Komitetin e Politikave Drejtuese (ish¬KOP). Por ka qenë kritik me mënyrën e funksionimit të kësaj partie dhe rregullave të demokracisë së brendshme në të, duke u shkëputur për disa vite dhe duke mos pranuar angazhime politike.
(a.n/BalkanWeb)