TIRANE-Kandidati i së majtës për Bashkinë e Lezhës, Viktor Tushaj, ka folur sot për programin e tij për këtë qytet, i ftuar në “Studio e Hapur”. Tushaj ka dhënë për qytetarët lezhjanë arsyet se pse ai është drejtimi i duhur për Lezhën, por dhe ka treguar se sa e vështirë është gara për një mandat të tretë.

Kandidati i ASHE është ndalur tek premtimet e 2011 që mbeten pa realizuar, si dhe tek oferta e tij për banorët e bashkinë së re të Lezhës.

Viktor Tushaj në 2011 mori mandatin e dytë si kryebashkiak si përfaqësues i LSI-së, por i mbështetur nga e djathta.

Në Vendoret 2015 ai përfaqëson koalicionin Aleanca për Shqipërinë Europiane dhe ka përballë kandidatin e opozitës Fran Frrokaj.

Në një atmosferë të përgjithshme nga fushata. Si po ju shkon deri tani?
Viktor Tushaj: Fushata vazhdon të bëhet e qetë. është një fushatë ndryshe nga fushata e tjera për shkak edhe të reformës administrativo-territoriale që bëri të mundur bashkimin e 10 njësive vendore në një. është fushatë shumë më intensive edhe për shkak të hapësirës gjeografike, të numrit të madh të njerëzve, që duhet të takoj. ka qenë një fushatë deri tani e qetë, civile, larg atyre ndikimit të flamujve apo bombardimit nga një propagandë. Ka qenë një fushatë më e qetë se herët e tjera.

Keni shpenzuar pak për flamujt? Për të dy kandidatët thoni?
Viktor Tushaj: Po për të dy kandidatët besoj ka qenë një fushatë me njerëzit, modeste, pa kërkuar që të ndoten fasadat e institucioneve publike çdo shtyllë me flamuj, vetëm pranë qendrave tona elektorale apo shtabeve elektorale ne kemi vendosur ato materiale informative, publicitare të cilat bëjnë të mundur promovimin e programeve tona, ideve tona dhe strategjive tona. Në fakt kjo është një gjë e re sidomos thënë nga një kandidat sepse në këtë studio në kontrast me këtë deklaratë është akuzuar për disa qytete të tjera për disa kandidatë që kanë bërë super fushata dhe super të shtrenjta dhe e kanë bombarduar qytetin, bëhet fjalë për disa qytete me posterat e tyre. vini për herë të tretë në kërkim të një mandati.

Pse po kërkon në mandat të tretë ku e bazon këtë kërkesë?
Viktor Tushaj: Në 2011 kur fitova për herë të dytë në qytetin e Lezhës, sapo u numërua kutia e fundit kam thënë që nuk do kandidoja më. Mendoja se dy mandate janë mëse të mjaftueshme për një kryetar bashkie që të japë maksimumin e tij në administrim e një njësie bashkiake. Por reforma administrativo-territoriale, bashkimi i 10 njësive, rrethi i Lezhës do jetë Bashkia e madhe e Lezhës, organizim i cili kërkon eksperiencë shumë më të madhe, resurse shumë më të mëdha, kërkon aftësi dhe kompetencë për të bërë të mundur edhe organizimin e ri të këtij pushteti që është i pari në Shqipëri. Sepse për herë të parë pushteti vendor ridimensionohet në një mënyrë të tillë. do ketë autoritet më tepër kompetenca dhe funksione të mëdha. Ishin këto sfida të reja të një bashkie të madhe që më bindën që të kandidoja për herë të tretë.

Keni më shumë premtime të mbajtura apo të pambajtura në bilancin tuaj të këtij 4-vjeçarit të fundit?
Viktor Tushaj: Nuk i përkas asaj kategorie politikanësh që premtojnë shumë. Zakonisht edhe në dy fushatat e tjera nuk kisha premtuar shumë gjera të cilat janë realizuar. Nuk kisha premtuar sepse nuk isha i bindur se do të gjeja financime të tilla të mëdha që i duheshin transformimit të një qyteti si Lezha që për fat të keq ishte lënë në harresë. Qyteti i Lezhës ka një veçanti që në harkun e këtyre dy dekadave është katërfishuar si në numër të popullsisë pra nga rritja etnografike që ka pasur por edhe nga pikëpamja gjeografike. Fatkeqësisht kjo rritje demografike dhe ky zgjerim gjeografik ka pasur një ritmikë investimesh për të bërë të mundur ndryshimet në infrastrukturë. Edhe në 2007 edhe në 2011 nuk kisha premtuar rrugën e kalasë dhe rrugën dytësore të spitalit. Kisha premtuar vullnetin, pasionin për të vënë në rrugine zgjidhjes të gjitha hallet shqetësimet problemet për të përmirësuar infrastrukturën. Edhe kjo fushatë është e orientuar pikërisht në këtë drejtim.

I keni mbajtur apo nuk i keni mbajtur të gjitha premtimet që keni bërë? Kishit premtuar një park industrial për Lezhën, kishit premtuar edhe Lezhën qytet universitar…
Viktor Tushaj: Padyshim ky është dhembi i prishur i të gjithë gazetarëve dhe jo i shumë qytetarëve.

Është një premtim i dalë nga goja juaj.. dhe duhet të jetë nervi i dhëmbit tuaj
Viktor Tushaj: Patjetër por nuk kam premtuar se do i realizoja në harkun kohor të katër viteve. sepse nuk mund të ketë kryetar bashkie në botë që të realizojë një park industrial në harkun e tre viteve. unë jam i bindur që parku industrial i duhet qytetit., i duhet çdo qyteti sepse eksperienca tregon edhe në vende të tjera të Europës së zhvilluar …

Ju dinit dhe sa do punësonit, 3 mijë të punësuar…
Viktor Tushaj: I duhet një park industrial së pari për të grumbulluara të gjithë ato industri në një vend dhe të mos mbillen pranë autostradave siç kanë mbirë në Shqipëri por në përgjithësi edhe në vendet e lindjes. së dyti për të ndikuar edhe në ngritjen e cilësisë së investimeve, të aktiviteteve bizneseve, në edukimin bizneseve. Dhe parqet industriale janë ato të cilët e edukojnë biznesin sepse ndërtojnë një raport tjetër.

Pse nuk e mbajtët?
Viktor Tushaj: Nuk u mbajt sepse këtë premtim unë e bëra pasi qeveria shqiptare për herë të parë në historinë politike të këtij vendi të drejtën e koncesionit ja dha bashkisë për shkak të pasioni , vullnetit që Bashkia e Lezhës dhe unë si kryetar kisha dhënë për realizimin e një parku industrial si një ndër investimet më të domosdoshme për të rritur punësimin. Për të rritur të ardhurat e bashkisë dhe për të përmirësuar çdo lloj raporti tjetër. Por nuk mundet që të braktiset Bashkia në iniciativën e vet për të ndërtuar një park industrial. Unë vazhdoj ta marr si shembull edhe Timishuarin në Rumani të cilit ju nevojitën 11 vjet që të ndërtojë një park industrial në qytetin e vet të Timishuarës ku e gjithë prona ka qenë në pronë të bashkisë pra ka qenë e regjistruar si aset i bashkisë. Kur sot Bashkia e Lezhës akoma këtë aset për shkak të papërgjegjshmërisë së Komisioneve të Kthimit të Pronave. Këto komisione e kanë kthyer tokën dhe e kanë ndarë në bazë të ligjit 7501 dhe nuk na kanë lënë asnjë lloj hapësire, sepse po ta kishim hapësirën me studimin fizibilitetit që i është bërë, me planet e urbanizimit dhe të lotizimit të gjithë zonës por edhe me sensibilizimin që ne i kemi bërë brenda dhe jashtë biznesit dhomave të industrive të Italisë, Gjermanisë dhe në Austri, Dhomave të tregtisë, dhe ishim gati që të investojmë, por mungesa e garancisë së pronësisë mbi tokën por edhe një kuadri ligjor që të përmirësojë edhe raportin midis një investitori që do të hedhë 10 milionë euro në Shqipëri por kërkon edhe garanci.

Ju nuk i dinit këto kur e propozuat?
Viktor Tushaj: I dija patjetër , por unë vazhdoj të besoj prapë se do realizohet. Por nuk mund të realizohet nëse nuk zgjidhen këto ngërçe, nuk ke mbështetjen e qeverisë, nuk ke mbështetjen e Ministrisë së Ekonomisë dhe të Ministrisë së Drejtësisë për të rregulluar gjithë kuadrin ligjor, nuk ke vullnetin dhe pasionin e një kryeministri pikërisht për të bërë të mundur ndërtimin e një parku industrial.

Par fajin e ka pasur qeveria?
Viktor Tushaj: Jo. Sot ne jemi në rrugën e duhur. Ka shumë faktorë. Një nga faktorët e mos realizimit është dhe mos mbështetja e qeverisë.

Keni dy vjet me qeverinë e re…
Patjetër por nuk mund të realizohet për dy vjet. Këto dy vjet është rritur ritmi i sensibilizimit të zhvilluesve, të njerëzve për të ardhur dhe për të marrë pjesë. Konçesioni i jepet një zhvilluesi për të bërë urbanizimin gjithë zonës.

Çështja e pronësisë si do zgjidhet?
Viktor Tushaj:Duke qenë një projekt me rëndësi të madhe publike besoj se shteti do të ndërhyjë së bashku me bashkinë duke ua blerë tokën të gjithë pronarëve duke e kthyer edhe një herë të shtetit dhe pastaj tua japë zhvilluesve, duke kompensuar të gjithë pronarët të cilët e kanë marrë me 7501. Pra është plotësisht e zgjidhshme.

Është premtim tuajin në këtë fushatë?
Viktor Tushaj: Po është një nga premtimet dhe vazhdon të jetë një nga premtimet sepse është nevoja e qytetit për një park industrial për një zonë industriale për të ndërtuar ato industri agropërpunuese që do zgjojnë interes dhe kurajo të gjithë fermerëve përreth. E ka pasur traditë Lezha ka pasur një zonë industriale para disa vitesh e cila çlironte kurajo dhe energji pozitive tek koperativat tek ndërmarrjet bujqësore të cilat e kishin të garantuar se ku do e çonin prodhimin.

Dhatë pak më tapë shembullin e Timoshuarës në Rumani duke thënë se parku industrial atje duhej bërë për 11 vjet. Jua sapo keni mbyllur 8 vjet të dy mandateve tuaja, mos ndoshta 8 vjet janë shumë për të mbyllur sheshin kryesor të qytetit dhe disa akse kryesore të qytetit? Pak ditë më parë tentova të hyja në Lezhë dhe ura kryesore ishte e mbyllur. Ndjesë por po ju them atë që unë e provova një herë por që lezhianët e provojnë përditë. Ishte një trafik i tmerrshëm…
Viktor Tushaj: Në fakt dua të sjell në vë,endjen tuaj edhe ndryshimin qasjes së dy qeverive. Para 6 vitesh kur po implemetntohej një ligj për mundësinë e dhënies apo mundësinë e kredimarrjes nga njësitë vendore pa pasur nevojë që të venë asete publike si garanci sepse USAID garantonte për të gjitha. Unë mora një kredi prej 120 milionë lekësh për të ndërtuar një infrastrukturë në një nga lagjet e reja të qytetit dhe u deshën 6 vjet që unë të bindja qeverinë shqiptare që të disbursonte këtë kredi që të përfundoja. Dhe dukej sikur ishte investim elektoral por në fakt nuk ishte. Kryeministri më premtonte dhe ministri i financave nuk e disbursonte.

Ju doni të thoni që nuk shkonte mirë zoti Bode me zotin Berisha?
Viktor Tushaj: Mbase. Disa herë më ka premtuar kryeministri në zyrën e tij por zoti Bode thoshte absolutisht jo sepse ky është borxh publik që nuk ishte e vërtet. Borxhin e qytetarëve e paguanin qytetarët. Një herë Bodja më tha po sikur të falimentojë bashkia dhe ju përgjigja ju do ishit njeriu më i lumtur i kësaj bote nëse një kryetar bashkie falimenton në iniciativën e tij për të përmirësuar infrastrukturën e qytetit. Sepse është detyrë e shtetit ë të financojë projekte të tilla dhe të përmirësojë standardet nëpër rrugë dhe nëse unë e marr këtë iniciativë që të marr kredi dhe ta paguaj me taksat e qytetarëve dhe nuk ma disburson qeveria, ju duhet të kuptoni. Dhe u desh qaja e re e qeverisë shqiptare u desh ministri i ri që e disbursoi kredinë për 15 ditë dhe sot ajo infrastrukturë është e përfunduar.

Jeni shumë elokuent për të justifikuar çdo dështim të mundshëm që mund të jetë , pres me ankth se si do flisni për sukseset e mundshme tuaja.
Viktor Tushaj: Ndryshimi i qasjes së qeverisë shqiptare sidomos për të adresuar vëmendje tek qendrat e qyteteve të harruara ne shqiptarët vuajmë nga mungesa e elementeve qytetarizues. Nuk mundemi të qytetarizohemi duke investuar vetëm në rrugët e fshatrave. në harkun këtyre 20 e ca viteve ne harruam qendrat e qyteteve. Granti i zhvillimit të rajoneve rreth 100 milionë dollarë të cilët u adresuan përmes një konkursi ku ne paraqitëm projektet tona më të mira të shesheve rrugëve, urave dhe fituam për të kualifikuar qendrat e qyteteve. Sot qyteti i Lezhës është e vërtetë që është kthyer në një kantier por unë sot jam i lumtur që kam vënë në vështirësi pak qytetarët dhe kam kërkuar mirëkuptimin e tyre për të përmirësuar të gjitha standardet.

Frika jonë është që po e bëni para fushatës këtë gjë…Cilat standarde?
Standardet e sheshtit e urës.

Standardin estetik?
Viktor Tushaj: Jo. Ju duhet të kuptoni që Lezha është një qytet me historik 3000 vjeçar. dhe para 2000 vitesh ne kemi një rrugë romake të ndërtuar me gurë. unë nuk mendoj se shoqëria lezhiane ka qenë më e pasur atëherë kur ka ndërtuar një shesh apo një rrugë dhe sot mbas 2000 mos marrim iniciativën për të përmirësuar infrastrukturën sipas standardeve bashkëkohore mendoj se e para nuk është justifikim për kohën që ne duhet ti bëjmë këto investime.

Duke ju dëgjuar ju që thatë më ka bllokuar zoti Bode mu kujtua kreu aktual i Bashkisë së Tiranës që thotë më ka bllokuar kryeministri, kjo nuk kalon kështu. të gjitha investimet që po vijnë tani mesa po shikoj janë për fushatë elektorale nga qeveria e re atëherë në 8 vjet del pyetja pa sportin e qeverisë, pa fondet elektorale në fushat cili është kontributi juaj?
Viktor Tushaj: Unë nuk e marr si një pengesë për shkak të bindjeve politike apo të ndryshimit politik. Unë e marr si ndryshim qasje. Pengesa që ju bë bashkisë nuk ju bë vetëm Bashkisë Lezhë ju bë edhe disa bashkive të tjera.

Shkodra performoi mirë…
Nuk morri kredi Shkodra. e iniciativën tonë për të marrë kredi unë nuk merrja paratë e shtetit unë kisha paratë e mia i paguanin qytetarë. Unë me taksat e qytetarëve ndërtoja 10 metra trotuar.

Kam pasur dëshmi nga lezhianë që mandatin e parë ju keni bërë punë, projekte pilot, mandatin e dytë ankohen se ka pasur një stanacion dhe një bum ndërtimesh pa leje dhe dhënie lejesh për pallate…
Viktor Tushaj: Së pari nëse unë ju sjell statistika duke mos pasur investime të mëdha çdo investim që bëja binte në sy të qytetarëve. Gjatë mandatit të dytë janë bërë investime shumë më të rëndësishme për jetën e qytetarëve dhe shumë më konsistente në shuma. Ndërtimet pa leje nuk janë vetë kompetencë e bashkisë.

A ishte shqetësues ky fenomen për ju?
Viktor Tushaj: Në qytetin Lezhës nuk ka qenë shqetësues edhe për shkak se ne kishim të drejtën që të jepnim leje ndërtimi vetëm në periferi nuk ishte kompetencë e jona për të dhënë leje dhe kontrolluar. Çdo ndërtim është betonizim, çdo qytetar që ka një pronë private ka të drejtë ta zhvillojë.

A është betonizuar Lezha? A ka qasje për pastrimin e zonës?
Viktor Tushaj: Ka shumë ndërtime pranë kalasë të ndërtuara në harkun e shumë viteve, Ka edhe ndërtime para 30 vitesh. Padyshim kjo nuk i bën nder këtij aseti shumë të rëndësishëm siç është kalaja Lezhës. Është një qasje e re që dua të implementojmë dhe të shpëtojmë këtë aset shumë të rëndësishëm për Lezhën po edhe për Shqipërinë. Gjithë qafa e Kalasë ka nevojë për ndërhyrje. Dhe së bashku me Ministrin ë Mjedisit duhet të bëjmë mbjellje pemësh. Problemi është se zona arkeologjike që është brenda murit rrethues, apo brenda zonës A janë bllokuar ndërtimet. Nuk ka iniciative për të ndërtuar pranë kalasë. Nuk mund ta zgjidh a do prishen apo jo ndërtimet në qafë kala, edhe për shkak të kostos së jashtëzakonshme që ka për dëmshpërblimin e të gjithë personave që kanë ndërtuar në harkun e këtij viti. Ata që kanë ndërtuar kanë bërë gabim, por gabim kanë bërë edhe ata që kanë lejuar këto ndërtime në gjithë këto vite. Duhet një strategji kombëtare, dhe ndërhyrja e shtetit për të marrë përsipër kostot e nevojshme për këtë.

Në një garë ku ju hyni për herë të tretë duhet ta njihni mirë qytetin. Cili është premtimi juaj që do donit të bënit në 4 vitet e ardhshme.
Viktor Tushaj: Sfida më e madhe në mandatin tim të ardhshëm është punësimi. Me këtë duhet të tërheqim vëmendjen e çdo institucioni publik, në mënyrë që të rritet mundësia e angazhimit e punësimit të qytetarëve. Duam të rrisim nivelin ekonomik të tyre, dhe kështu përfiton e gjithë shoqëria. Besoj se resurset që ka Lezha krijojnë më shumë mundësi. Me reformën e re territoriale ofrohen më shumë mundësi. Turizmi është shumë i rëndësishëm në Lezhë. Ka një zonë arkeologjike shumë të pasur. Ka asete të mëdha e me vlerë. Këto të gjitha bashkë me bukuritë natyrore që ka Lezha, të japin mundësi që të adaptosh lloje të ndryshme turizmi. Dy lagunat ofrojnë mundësinë e turizmit të peshkimit, dhe gjuetisë. Lezha ka një gastronomi mjaft të pasur. Ne kemi hartuar një projekt për dixhitalizimin e stacioneve turistike, me interes rritjen e ofertës turistike. Izraeli është i interesuar për turizëm në Shqipëri. Rritja e fluksit të turistëve është fuqizimin i ekonomisë, dhe rrjedhimisht hapen vende të reja pune.

Pse nuk keni debatuar asnjëherë me kundërshtarin tuaj?
Viktor Tushaj: Në televizionet kombëtare rivali im nuk ka preferuar të debatojë. Ne kemi bërë një debat në televizionet lokale. Ne kandidojmë përballë njëri-tjetrin, por qytetarët duhet të shohin strategjitë, projektet, programet. Unë e ndjek fushatën e rivalit, por në fakt me intereson fushata ime, për t’i përcjellë votuesve programin tim, dhe për t’i orientuar që ata të hedhin votën në drejtimin e duhur. Në harkun e dy mandateve ne si kryetare bashkie e komune kemi patur përgjegjësitë tona të qeverisjes në shërbim të qytetarëve, por unë dua të merrem me atë çfarë kam në programin tim, dhe çfarë i ofroj qytetarëve. Besoj se këto modele do të na udhëheqin për të marrë votëbesimin e qytetarëve.

Premtimi juaj i pambajtur?
Viktor Tushaj: Për Lezhën kam bërë shumë më tepër nga sa kam mundur. Të gjithë qytetet e Europës që kanë një lumë pranë janë më të zhvilluarat, dhe Lezha ka një lumë që e përshkon mes për mes. Sot që ky lumë është vënë në parametra sigurie dhe nuk përmbyt më, do të kthehet në një shëtitore. Plani rregullues i qytetit është realizuar nga studiot më të mira në Europë. Është bërë gjtihë studimi nga Zyra Urbanistike e Anconës, dhe që ka eksperiencë të madhe në urbanizimin e qyteteve në qytete ky ka informalitet të madh. Është miratuar nga Këshilli Bashkiak, por mbeti i pamiratuar në Këshillin Kombëtar të Rregullimit të Territorit pasi ndryshoi ligji. Por ne me një rregullore të brendshme kemi vijuar. Në kuadër të iniciativës së hapjes së universiteteve kudo, edhe unë doja që studentët lezhjanë t’i zhvillonin studimet në Lezhë. Unë e kërkoj një universitet cilësor në Lezhë, një universitet të studimeve Albanologjike për shkak të laboratorit që ka Lezha. Kjo është energjia që ne do të derdhim për të realizuar këtë punë.

Ju jeni i vetmi kandidat në 61 bashki, që keni kandiduar njëherë PS-LSI, pastaj PD-LSI, dhe tani PS-LSI pra janë dy kalime. A është kjo një vështirësi shumë e madhe?
Viktor Tushaj: Jam propozuar nga LSI dhe për mua është avantazh. Në 2011 ishte po i tillë. Zgjedhjet administrative janë ndryshe nga ato politiket. Qytetarët fokusohen tek problemet e tyre, dhe projektet tona kanë qenë ato që kanë bindur qytetarët. Me ujësjellësin që po ndërtohet në Lezhë, do të pine të gjithë pavarësisht bindjeve partiake. Besoj se nuk ka asnjë disavantazh në këtë lëvizje.

Në terren në fushatën tuaj çfarë kohezioni ka mes LSI dhe partive të tjera të aleancës për mbështetjen ndaj jush?
Viktor Tushaj: Në fillim PS kishte interes që të përfaqësohej edhe nga kandidatët e saj por kjo nuk e ka penguar që të unifikohet edhe me kandidatët e LSI. Të gjitha forcat e tjera të koalicionit janë të motivuara për fitoren e 21 qershorit. Ka përpjekje në terren për të motivuar të gjithë socialistët në këtë sipërmarrje të rëndësishme.

Nëse do të listonit një sërë problemesh që Lezha ka sot, cilat do ishin ato? Çfarë garancie do jepni ju sa i takon shkuarjes së shërbimeve në çdo fshat të bashkisë së re të Lezhës?
Viktor Tushaj: Punësimi është sfida më e madhe ku ne do të fokusohemi tek projektet tona. Papunësia është plaga më e madhe që kemi, nga këtu vijnë të gjitha problematikat e tjera që kemi. Bashkia e madhe e Lezhës me të gjitha resurset që ka, me projekte efikase do të bëjë të mundur rritjen e nivelit të punësimit. Me reformën e re administrative –territoriale do të ketë rritja e shërbimeve, dhe në mënyrë që çdo gjë të jetë funksionale. Do të jetë funksional përdorimi i resurseve. Po kështu duhet që qendrat shëndetësore të kenë standardet e duhura në të gjithë bashkinë e re të Lezhës. Ne e kemi treguar modelin. Qyteti do të jetë shumë më i gjelbëruar.

Sa do të jetë fatura financiare e këtyre projekteve?
Viktor Tushaj: Për të punësuar 25 mijë vete, nuk janë asgjë 25 milionë euro nuk janë absolutisht asgjë. Nuk ua premtuam qytetarëve lezhjanë ujësjellësin sepse nuk e dinim nëse qeveria shqiptare do na mbështeste, por na mbështeti. Kështu ka edhe institucione të tjera financiare që mund të na mbështesin. Është shumë e vështirë të llogaritet fatura financiare për 4 vite te qeverisjes por ne kemi një plan strategjik për zhvillimin e qytetit 2013-2030. të gjitha projektet janë të shkruara e zeza mbi të bardhë në këtë plan strategjik. Synohet fuqizimi i industrisë agro-përpunuese, dhe stimulimi i bujqësisë. Parkingjet janë shumë të rëndësishme kudo. Ne tashmë i kemi dy vende parkingjesh, por Lezha ka rrugë shumë të sakrifikuara. Duhet të bëhet bashkëpunim publik-privat. Ajo që e shpëton qytetin është perfeksionimi i transportit urban. Nevojitet koordinim i të gjitha fuqive. Por ne kemi patur buxhete të limituara. Lezhës nuk i ka munguar asgjë, është në trendin e duhur. Sot është një kantier ndërtimi, por përmirësohet uji i pijshëm, po sistemohen të gjitha rrugët. Janë sistemuar sheshet dhe lulishtet. Nuk i mungon absolutisht asgjë. Janë ndërtuar tre shkolla të reja. Janë rikonstruktuar edhe 2 të tjera. Janë bërë punë në Lezhë, aq sa nuk janë bërë në 25 vite. Problemi i ujit të pijshëm në Lezhë duhet të zgjidhej me shumë punë, pasi depot ishin shumë të vjetra. Kemi 6 mijë nxënës dhe studentë në Lezhë. Kemi patur vëmendjen e duhur për çdo gjë. Por buxhetet tona kanë qenë të pamjaftueshme për të përballuar nevojat e qytetarëve. Megjithatë Lezha ka resurse të mëdha. Bashkia koordinon energjinë që e lidh industrinë e zonës me pushtetin qendror.

Bujqësia ka ngecur…
Viktor Tushaj: Kjo ka ndodhur sepse ne i ndamë tokat. Me reformën e re territoriale dhe modelet që ne kemi krijuar në Lezhë janë shpresëdhënëse se ne do të dimë të ndërtojmë projektet në fusha të ndryshme. Besoj se të gjithë qytetarët e kanë marrë drejtimin duhur tashmë, duke parë pikërisht këtë.

Kush do t’i financojë këto projekte?
Viktor Tushaj: Unë pres nga të gjithë. Lezha është i vetmi projekt në Shqipëri ku ka rezultuar me sukses projekti për grumbullimin e diferencuar të mbetjeve. T’i japësh suksesin e duhur këtij projekti kërkon sensibilizimin e të gjithë opinionit publik. Jemi në tratativa për të gjetur një impiant edhe për përpunimin e qelqit. Ashtu siç kemi gjetur gjuhën e komunikimit me qeverinë dhe me partnerët strategjikë, donatorët, do të vijojmë punën tonë, për të siguruar financimin e të gjithë projekteve tona.

Për ju ka pasur akuzë mediatike për shkak të një hetimi të policisë të Lezhës, dhe ka dalë një urdhër arresti diku nga tetori. Cila është e vërteta?
Viktor Tushaj: S’ka pasur asgjë të vërtetë, përveç asaj që gatuhej në kuzhinat e njerëzve të cilët ishin të interesuar të ndotnin një kandidat të mundshëm për bashkinë. Nuk ka pasur asnjë hetim. Është bërë e udhës tashmë në Shqipëri, që kur njerëzit kandidojnë, të përbalten figurat e tjera. Ftesën e parë për të kandidatura për ASHE unë e kam marrë nga kryeministri i Shqipërisë, kështu që nuk ka pasur asnjë lloj tendence. Ka ardhur ftesa e parë, pikërisht atëherë kur unë mund edhe të mos kandidoja. Unë jam këtu për të vazhduar fushatën elektorale dhe për të fituar besimin e njerëzve.

Nëse do ishte kjo dita e fundit për të folur me qytetarët lezhjane, si do t’i bindni pse duhet të votojnë për ju?
Viktor Tushaj: Arsyet pse të votojnë kundra meje nuk kam, dhe kam plot arsye pse duhet të votojnë pro meje. Dua të më vlerësojnë për aftësinë, kompetencën, eksperiencën për të menaxhuar bashkinë e Lezhës. Por mbi të gjitha kam mbështetjen e duhur edhe të qeverisë shqiptare, kryeministrit, kryetarit ë Kuvendit dhe gjithë ASHE për të vijuar ato projekte që garantojnë zhvillim të shpejtë. Bashkia e Lezhës i ka të gjitha ato resurse të nevojshme në pak kilometra katrore, në mënyrë që në sajë të projekteve të mund të kthehen në mundësi zhvillimi. Modelet që ne kemi krijuar në qytetin e Lezhës, besoj se janë një garanci e madhe për të gjithë qytetarët për të adresuar votëbesimin e tyre tek drejtimi i duhur, për të mos vonuar asnjë moment më shumë, por për të vazhduar me punën për të çuar projektet në drejtimin e duhur.

A do ishit i gatshëm që këtë debat ta bënit përballë rivalit tuaj?
Viktor Tushaj: Unë e ftoj kandidatin rival, pasi do ishte shumë më mirë të kisha përballë atë për ballafaqimin e strategjive dhe projekteve tona. E ftoj publikisht që ne të përballemi për të debatuar për të gjitha këto strategji që ne kemi, dhe qytetarët të vendosin për strategjinë dhe projektet që i bindin më shumë ata. Refuzimi i tij vjen nga paniku që kanë nga mungesa e projekteve, strategjive, vizionin, dhe mbështetjet e duhura, këto janë mungesë garancie për qytetarët, dhe ata nuk e kanë vullnetin e duhur për debat.

Si e shikoni mbrëmjen e 21 qershorit për Shqipërinë dhe Lezhën në veçanti?
Viktor Tushaj: Mendoj se drejtimi i duhur është drejtimi që do marrë votëbesimin të gjithë shqiptarëve,. Lezha është e bindur në drejtimin duhur, dhe për këtë jam mëse i sigurtë. E ndjen në të gjitha takimet me qytetarët. Kudo ka një mbështetje të jashtëzakonshme. Besoj e gjithë Shqipëria e ka gjetur drejtimin e duhur.

Pse LSI ka më shumë flamuj se të dy partitë e mëdha?
Viktor Tushaj: Në Lezhë nuk ka. Unë flas për këtë qytet. Kam marrë përsipër të zhvilloj një fushatë qytetarë, të thjeshtë dhe të qetë. Vetëm kështu qytetarët mund të vendosin me votën e tyre për në drejtimin e duhur.

(el.sp/a.n/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: