Gazetari Italian i emisionit “Le Iene” dhe “Nemo” në Rai2 Enrico Lucci, vizitoi mjediset e televizionit News24, gjatë punës për një reportazh që do ta transmetojë në emisionin e tij të ri “Nemo”. Enrico Lucci e sheh Shqipërinë si një vend me rritje të fortë ekonomike dhe për këtë sipas tij, një meritë të veçantë ka kryeministri Rama. Lucci tha se do t’iu tregojë italianëve që Shqipëria e vitit 1990 nuk ekziston më.

Pamjet që televizionet italiane transmetonin 25 vite më parë kur shqiptarët zbrisnin në brigjet e Italisë me anije, nuk janë harruar. Por që prej asaj kohe, Shqipëria nuk është më e njëjta. Për të pasqyruar Shqipërinë ndryshe, Shqipërinë e vitit 2017, ndodhet në vendin tonë gazetari i njohur italian, Enrico Lucci, ish-drejtuesi i “Le Iene” që sot drejton emisionin e tij “Nemo” në Rai Due. Në kuadër të vëzhgimit të tij, gazetari italian ishte edhe në televizionin “News24” ku tha ndër të tjera se zhvillimi ekonomik i vendit është i prekshëm dhe se vendi është në drejtimin e duhur dhe kjo sipas tij, edhe për shkak të kryeministrit, Edi Rama që ai e cilëson si mendje të ndritur dhe një njeri praktik. Lucci do të përgatisë në Tiranë një material filmik për të pasqyruar elitën ekonomike të vendit, elitë e cila siç thotë ai është themeli për zhvillimin e qëndrueshëm të vendit.

“Jemi këtu për të parë se si është zhvilluar ajo që mund të quhet elita ekonomike e këtij vendi. Dhe për të parë sepse ne italianët kemi gjithmonë në mendje anijen “Vlora” që erdhi me gjithë ata njerëz që kërkonin një të ardhme. Ndaj duke parë se si është zhvilluar elita ekonomike dhe shpresojmë që kjo elitë të tërheqë gjithë pjesën tjetër të vendit që të mos ketë më vafëri në Shqipëri. Sepse varfëria nuk duhet të jetë në asnjë pjesë të botës”, – tha ai.

Lucci, Shqipërinë e sotme e sheh si një vend me rritje të fortë ekonomike dhe shton se për këtë një meritë të veçantë ka edhe kryeministri Rama. “Më duket një vend në rritje të fortë dhe që ka marrë një rrugë të rëndësishme zhvillimi dhe gjëja që doja shumë të thoja është që të mos bëni të njëjtat gabime që ka bërë pjesa tjetër e Perëndimit. Pra, zhvillohuni mirë dhe zhvillohuni të gjithë, mbi të gjitha”, – shprehet gazetari i famshëm italian.

Jemi në rrugën e duhur? Mendoni se tani jemi në rrugën e duhur apo jo?
Kryeministri më duket një mendje e ndritur, një person i mirë, një artist, një njeri praktik. Ndaj po shkoni në rrugë të duhur. E rëndësishme është të zhvilloheni të gjitëh bashkë, do me thënë, që të gjithë të përmirësojnë jetën e tyre, jo vetëm pak persona. Ndoshta në fillim pak dhe ngadalë-ngadalë dhe gjithë të tjerët. Sepse kapitalizmi është një sistem i rëndësishëm por edhe i rrezikshëm. Mund të zhvillojë një shoqëri por mund edhe të krijojë dhe mosbarazi të tmerrshme dhe të çojë njerëzit drejt dëshpërimit,” tha Lucci.

Ndërkohë kur pyetet për shqiptarët, ai thotë se ata janë simpatikë. Në të gjithë vendet ka të mirë dhe të këqinj. Ndaj dhe juve keni të këqinjtë tuaj, por kështu në vështrim të parë jeni shumë simpatikë. Sidomos pjesa femërore. Enrico Lucci, pasi u njoh nga afër edhe me ambjentet e News24 dhe studiot televizive e cilësoi televizionin si të bukur dhe profesional.

Si ju duket televizioni ynë?
“Është një televizion i bukur, profesional, ku shpresoj ose mendoj që nëse s’do kem më punë në Itali dhe nëse s’më merr njeri në punë, nëse ju do të jeni të sjellshëm mund të vij të punoj këtu tek ju”, – tha Lucci.

Së shpejti në Rai Due në emisionin e tij “Nemo”, Enrico Lucci premton ta pasqyrojë Shqipërinë tjetër, Shqipërinë reale dhe jo atë të kujtimeve të shkuara, Shqipërinë që shikon nga e ardhmja.

 

(e.f/News24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb