NGA: VALENTINA MADANI
Genc Ruli, ish-themelues i PD-së, aktualisht deputet i saj, nuk i sugjeron PD-së një bojkot të mundshëm në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të 2017-ës, sepse sipas tij, PD-ja si parti politike nuk mund të jetë asnjëherë kundër instrumentit thelbësor demokratik, që janë zgjedhjet politike. Por, Z.Ruli thotë për “Gazeta Shqiptare” se, as nuk mund të marrë përsipër që të sjellurit demokratikisht të ligjërojë ngjarje tashmë të paralajmëruara për shkallën e lartë të manipulimit dhe shkeljen e ligjit. Në kushte të tilla, z.Ruli i kërkon partisë së tij që të mbledhë provat e kësaj masakre, që pushteti aktual kërkon të bëjë me votën e shqiptarëve. “Së pari, pushteti i fortë dhe real i klanit të drogës, i mpleksur pa hezitim me pushtetarët politikë. Së dyti, lirimi dhe amnistimi i shumë individëve kriminalë, që do të jenë kontingjentë elektoralë të klikës në pushtet. Së treti, interesat ekonomike në investuara në sektorë privatë dhe publikë nga individë apo kompani të lidhura drejtpërdrejtë me kryeministrin Edi Rama. Së katërti, përdorimi i paskrupullt dhe i hapur i parave vitet e fundit”, shprehet deputeti Genc Ruli.

Z.Ruli, ju jeni shprehur kritik në mbledhjen e fundit të grupit parlamentar të PD-së për çështjen e reformën zgjedhore. Për cilat arsye?
Në situatën e sotme politike e rëndësishme është cilësia e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare të qershorit. Pra, çështja është a do kemi zgjedhje normale, shprehje e vullnetit të votuesit dhe garantuesee këtij vullneti. Unë vetë si Genc Ruli kam besim se nuk do të jenë të tilla. Madje, klika që ka sot pushtetin nuk do t’i “dhurojë” elektoratit zgjedhje me standarde demokratike dhe të pamanipuluara. Nisur nga kjo, në mbledhjen e grupit parlamentar ku po diskutohej për axhendën e seancës së Kuvendit, mes tyre edhe amnistia, unë deklarova se duhet t’i lëmë të gjitha mënjanë dhe të merremi më çështjen më thelbësore, pasi ka një problematikë, që është ajo e zgjedhjeve të afërta të qershorit që vjen.

Realisht, a mund të ketë zgjedhje demokratike me 18 qershor dhe a është PD-ja e vonuar në këtë drejtim?
Vetë z.Basha dhe z.Berisha kanë deklaruar se sa kohë të jetë Edi Rama kryeministër, s’ka zgjedhje të lira dhe që kjo qeveri nuk ka vullnet për të garantuar zgjedhje demokratike. Por, duke e thënë këtë të vërtetë apo duke e përsëritur disa herë, mbetet pa retorikë politike. Ndaj për mendimin tim, në këtë rast PD-ja është e vonuar për të artikuluar qartazi dhe prerazi pa asnjë ekuivok mesazhin e saj kryesor: së pari, pa u plotësuar paraprakisht disa kushte të domosdoshme, nuk mund të shkohet drejt zgjedhjeve parlamentare të ligjshme. Këtë e bëra të qartë para deputetëve. PD-ja si forcë politike në këto 25 vite, në rrethana të tilla nuk duhet të bëhet pjesë e dekorit butaforik thjesht për të legjitimuar një proces gjasme demokratik. Së dyti, të mbledhë prova dhe fakte që do të ketë manipulim të madh zgjedhor, që po vjen dhe po e shohim përditë nga zyrtarë të PD-së, analistë të medias, politikanë të ndryshëm.

Konkretisht, cilat janë provat se po përgatitet një manipulim i madh për zgjedhjet e 2017-ës?
Së pari, pushteti i fortë dhe real i klanit të drogës, i mpleksur pa hezitim me pushtetarët politikë. Së dyti, lirimi dhe amnistimi i shumë individëve kriminalë, që do të jenë kontingjentë elektoralë të klikës në pushtet. Së treti, interesat ekonomike në investuara në sektorë privatë dhe publikë nga individë apo kompani të lidhura drejtpërdrejtë me kryeministrin Edi Rama. Së katërti, përdorimi i paskrupullt dhe i hapur i parave vitet e fundit.

Cilat mund të jenë kushtet që mund t’i artikulojë PD-ja?
Kushti i parë është se duhet një reformë e thellë zgjedhore. Së dyti, dekriminalizimi i shpejtë, pa hile dhe i hapur i strukturave të administratës publike dhe Policisë së Shtetit. Kushti i tretë, ndryshim i plotë i skemës së financimit të partive politike në procesin elektoral. Këto dhe të tjera janë ndryshime të domosdoshme, të panegociueshme, ligjore dhe institucionale. Dhe në vetvete janë e vetmja garanci që mund t’i ofrohet shoqërisë shqiptare për të pasur zgjedhje normale dhe të ligjshme.

Pa këto kushte a duhet të hyjë PD në zgjedhje?
Jo, nuk e them këtë. Partia Demokratike si parti politike nuk mund të jetë asnjëherë kundër instrumentit thelbësor demokratik, që janë zgjedhjet politike. Por, as nuk mund të marrë përsipër që të sjellurit demokratikisht të ligjërojë ngjarje tashmë të paralajmëruara për shkallën e lartë të manipulimit dhe shkeljen e ligjit.

Përballë këtij manipulimi, siç thoni ju të paralajmëruar, si mund të bëhet PD-ja garante e zgjedhjeve?
PD-ja duhet të bëhet garante për veten dhe publikun shqiptar që këto zgjedhje të zhvillohen vetëm atëherë kur të jenë plotësuar kushtet më bazike të pamanipulueshme nga klika në pushtet. Të bëjë siç bëri Edi Rama gjatë zgjedhjeve të 2007-ës dhe 2008-ës, që kërkoi plotësimin e standardeve, kartat e identitetit dhe listat e votuesve, sepse gjykonte se janë kushte të domosdoshme për zgjedhje normale. Dhe Partia Demokratike nuk ka më pak të drejtë sesa kishte atëherë Edi Rama, ndaj sot opozita e djathtë duhet të kërkojë zhvillimin e zgjedhjeve pa pjesëmarrjen e klaneve të drogës dhe individëve të inkriminuar apo parave të pista të akumuluara nga klika në pushtet deri më sot që t’i përdorë për zgjedhjet e ardhshme të 18 qershorit 2017.

Gjithsesi, garanci mund të jenë edhe ndërkombëtarët?
Do të ishim naivë po të mendonim se garancia e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare do të ishin ndërkombëtarët apo ambasadorët e tyre, pavarësisht qëllimeve e parimeve politike që ata ndjekin.

Ju besoni se realisht PD-ja është e vonuar edhe në plotësimin e këtyre kushteve?
Këto standarde, ndonëse me disa vonesa, besoj se janë përsëri të arritshme.

Dhe si mund të arrihen këto kushte?
Kushtet arrihen kur ulesh në tavolinë, kur diskuton dhe i miraton ndryshimet ligjore në parlament.
(Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: