Nga: OLA MITRE*
TIRANE- Gjithë jetën e tij e ka kaluar në mbrojtje të lumenjve, ndërsa së fundi ka kthyer sytë nga Shqipëria. Që në momentin e parë që pa Vjosën, u surprizua pas saj e u angazhua se do e mbrojë nga shkatërrimi që i kanoset prej ndërtimit të 8 hidrocentraleve. Ulirch Eichelmann, një shtetas gjerman, i cili së fundi është nderuar edhe me një çmim ndërkombëtar për mbrojtjen e natyrës, tregon për “Gazeta Shqiptare” planin që ka për ngritjen e një Parku Kombëtar përgjatë luginës së Vjosës. Përfaqësuesi i organizatës “River Watch”, fundin e vitit që kaloi ua dedikoi takimeve me banorët e Përmetit e Çarshovës, duke u spjeguar rëndësinë e kësaj pasurie të rrallë natyrore. “Vjosa është një ndër lumenjtë e vetëm të egër të mbetur në Evropë e si i tillë duhet mbrojtur”, thekson ndër të tjera ai.
Z. Eichelmann, kur dëgjuat për herë të parë për Vjosën dhe pse zgjodhët për ta vizituar?
Unë kisha dëgjuar që ekzistonte një lumë vërtet i ‘egër’ në Shqipëri. Kështu që për dashamirësit, që janë shumë të apasionuar pas lumenjve, ashtu siç jam edhe unë, Vjosa ishe diçka që nuk duhej humbur. E kam parë Vjosën rreth 2 vite e gjysmën më parë.
Cila ishte përshtypja e parë kur patë Vjosën?
Për herë të parë pashë lumin në afërsi të Poçemit, ku edhe shtrati është më i gjerë (sepse ka një shtrat shumë të gjerë) dhe aty unë thashë ‘uau’. Kur vendosët të merreni me mbrojtjen e Vjosës? Që në momentin kur unë e pashë atë.
Cilat ishin përpjekjet e para për këtë kauzë?
Gjëja e parë e madhe ishte kontaktimi me revistën e madhe gjermane “Der Spiegel”. Pasi iu dërgova disa foto, ata thanë “pse të mos shkojmë atje?”. Shkuam në Poçem, në Kalivaç. Artikulli i “Der Spiegel” është online dhe i printuar, ndërsa online është edhe në anglisht dhe kjo tërhoqi shumë vëmendje. Më pas mora shumë e-mail nga gazetarë që donin të vinin ta vizitonin. Një hap tjetër ishte “Geo Magazine”. Ata fillimisht donin të bënin një artikull shumë të shkurtër, por kur e panë se për çfarë bëhej fjalë, i atribuuan dy faqe.
Çfarë keni arritur deri më tani me këto përpjekje që keni bërë?
Me përpjekjet e deritanishme kemi arritur ta bëjmë Vjosën më të njohur. Shumë njerëz në Evropë nuk kishin dëgjuar ndonjëherë për të, edhe pse është një lumë i gjatë. Kështu që synimi fillestar është që ta bëjmë të njohur: që është diçka e bukur, por edhe e kërcënuar. Kjo e fundit për Bashkimin Evropian dhe mediat. Vjosa është me të vërtetë diçka që Shqipëria duhet të jetë krenare dhe duhet ta tregojë. Në fakt, nëse Barak Obama apo Merkel vizitojnë Shqipërinë, do rekomandoja që Edi Rama t’i çonte në një udhëtim rafting në Vjosë.
Pse jeni kundër ndërtimit të hidrocentraleve?
Ndërtimi i tyre do të shkatërronte lumin në mënyrë përfundimtare. Ndërkohë që kjo është e veçanta: Vjosa rrjedh e lirë nga burimi deri në derdhje, ndaj dhe quhet lumë i egër. Vjosa është një ndër lumenjtë e vetëm të egër të mbetur në Evropë e si i tillë duhet mbrojtur. Nëse Shqipëria do të futet në BE, një nga këndvështrimet do të jetë ‘çfarë mund të na ofrojë Shqipëria ne’ dhe kjo nuk do të jetë industria, por natyra. Është diçka që u shtohet vlerave të BE-së. Por rreziku qëndron se ti e ke vrarë atë para se të futesh në BE, kështu që Vjosa mund të mbrohet shumë më mirë me legjislacionin e BE-së dhe ajo që nuk duhet bërë është ndërtimi i digave të hidrocentraleve. Ju dëshironi ta ktheni Vjosën në një park kombëtar.
Çfarë nënkuptoni me këtë?
Ndërtimi i parkut kombëtar nuk është për të bërë zonën të njohur, por për ta mbrojtur, sepse çfarëdo që bëjmë ne tani, nuk mund ta mbrojmë Vjosën për vite me radhë, nëse nuk ndalojmë këto 8 diga. Certifikimi më i mirë për këtë lloj rajoni është parku kombëtar. Por, ju thatë gjatë prezantimit me qytetarët se në Shqipëri ka shumë parqe kombëtare, por ata nuk mbrohen.
Pse ky park do të jetë ndryshe?
Ne sugjerojmë që, që nga fillimi të ndërtohet një park i njohur ndërkombëtarisht dhe kjo nuk fillon vetëm duke thënë se ky është një park kombëtar, por fillon me vendimin politik për të thënë që ne duam të planifikojmë një park kombëtar sipas direktivave të IUCN-së. Planifikimi i një parku kombëtar sigurisht që kushton para, por unë jam i bindur që ne mund të mbledhim para nga ndërkomëbtarët për një diçka kaq të madhe, sepse është unik në kontekstin evropian. Kjo mund të marrë edhe 3 vite kohë, por siç e thashë edhe më lart, fondet ndërkombëtare mund të vijnë. Një park kombëtar i mirëfilltë do të thotë që të ketë një qendër informacioni, një rojtar parku që e mbron dhe edukon njerëzit, si dhe një sistem shtigjesh me informacionin e përshtatshëm, ku turistët të ecin më këmbë. Ndërtimi i HEC-eve ofron punësim sezonal, por shkatërron turizmin, që do sjellë shumë më tepër të ardhura, nëse Vjosa kthehet në park kombëtar.
Gjatë prezantimit thatë se do i bëni “presion” kryeministrit Rama. Si do e bëni këtë?
Edi Rama është personi më i rëndësishëm në nivel politik dhe ai me qeverinë e tij janë të ngarkuar të kujdesen për vendin dhe janë ata që vendosin për drejtimin që do marrin. Por, para se të themi ne që duam një park kombëtar, Edi Rama është personi që duhet ta kuptojë rëndësinë e këtij plani. Para se t’i bëjmë presion, duam t’i shpjegojmë se si e shohim ne këtë lumë dhe cili është plani ynë. Pra, zona dhe lugina është e rëndësishme, por edhe qeveria është shumë e rëndësishme.
Cila është kërkesa juaj për qeverinë shqiptare?
Të hapin sytë e veshët dhe të përpiqen të hedhin sytë nga lumi e të na dëgjojnë. Ata duhet të bëjnë pyetjen sesi duan që të duket Shqipëria pas 20 vitesh: duan të ketë zona që të duken totalisht ndryshe nga tani? Ky është progresi..
(ma.ar/BalkanWeb)