Presidenti i Kukësit, Safet Gjici, në intervistën pas ndeshjes së humbur kundër Luftëtarit, por që i dha titullin verilindorëve është shprehur tepër i lumtur. Në një prononcim për “Gol pas Goli” në përfundim të ceremonisë së marrjes së trofeut në Gjirokastër, ai foli për të ardhmen e klubit teksa tha se në Ligën e Kampioneve do të tentojnë të kalojnë të paktën një tur.

Për sezonin e suksesshëm

“Ka qënë një sezon i vështirë, kemi pasur shumë biseda konstruktive me stafin gjatë këtij viti, por ja që e drejta paska qënë me mua ne fund sepse arritëm të marrim titullin. Nuk mendoj se ka ndonjë sekret të madh përvec korrektësisë, mbështetjes së gjithë stafit teknik dhe ekipit, mbi të gjitha mirëmenaxhimi i kësaj ndërmarrjeje të ekipit të futbollit.

Ia dolëm më në fund pas 5 viteve mund, djersë, lodhje dhe sakrifica, por ja që në fund erdhi dhe rezultati dhe gëzojmë të gjithë sot për këtë titull që i ka munguar Kukësit prej 87 vitesh. Kemi marrë Kupën, Superkupën dhe kjo ishte qershia mbi tortë. Kurora mbretërore ka arritur sot në Kukës dhe uroj ta gëzojmë të gjithë kuksianët kudo ndodhen , jo vetëm brenda Shqipërisë por dhe ata jashtë vendit.”

Për mosarritjen e rekordit pa humbje

“Natyrisht e rëndësishme është që e kemi fituar këtë titull pa humbje. Kuptohet që dhe ekipi s’ka karikimin e nevojshëm për një ndeshje si e sotmja, do ishte mirë të mos humbim, rastet i kishim, por i shpërdoruan sulmuesit. Titullin e kemi marrë pa humbje, edhe rekordi do ishte i rëndësishëm por futbolli kështu është sepse pas triumfit ka rënie, kishim dhe dëmtime që na munguan sot.”

Për pjesëmarrjen në Ligën e Kampioneve

“Sa i përket Champions-it, është një kompeticion që kërkon lojtarë cilësorë. Jo se nuk i kemi, por në disa reparte duhen 3-4 lojtarë që të jenë të niveleve që t’i përgjigjen Champions-it. Jemi në kontakte me disa menaxherë, do gjejmë më të mirët e mundshëm për të kaluar minimalisht turin e parë, edhe pse e dimë që është shumë e vështirë sepse grupi është shumë i vështirë. Nëse do kemi fat në short, besoj që do ia dalim.”

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: