Safet Gjici në kundërsulm. Presidenti ka folur jo vetëm për të ardhmen e tij te Kukësi, por edhe për akuzat e bëra nga Partizani për favorizim në ndeshjen ndaj Laçit. Përballja e titullit që luhet të shtunën ka ndezur ndjeshëm tensionin në aksin Tiranë-Kukës dhe kjo duket nga deklarata që presidenti dha për “Panorama Sport”. Ai fillimisht premton se mbështetja karshi futbollit do të vazhdojë, edhe nëse bëhet deputet.

“Kukësi do bëjë rrugë të gjatë, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në arenën ndërkombëtare. Kudo që të jem unë, skuadrës nuk do i mungojë mbështetja. Madje në vazhdim do të jetë edhe më e madhe. Ne këtë sezon luftojmë për titullin dhe besojmë që do të shpallemi kampionë. Pasi kemi kaq kohë që investojë, kemi kaluar shumë ture në Europë, kemi thyer rekorde, tashmë obligimet e mia do të jenë 10-fish më të mëdha, jo vetëm për qytetin, por krejt qarkun e Kukësit”, u shpreh numri një i klubit.

AKUZAT E PARTIZANIT
Gjici ka gati kundërakuzat për Partizanin. Ai e thotë hapur se janë të kuqtë që janë favorizuar nga arbitrat, madje hapur fare.

“Turp për deklaratën e drejtorit të Partizanit dhe të klubit të tyre! Të gjithë e panë se si e morën penalltinë me Tiranën. Arbitri ishte ‘pro’ tyre. Ai 11-metërsh prishi lojën, pasi bardheblutë po luanin shumë mirë. Ata të shohin problemet e tyre, pasi marrëdhënien me arbitrat e kanë ata dhe jo ne.

Në Kukës u bë një ndeshje, në të cilën ata mendonin që të merrnin një rezultat në favor të tyre, por nuk ia arritën dot, pasi ndodhi e kundërta. Ne shohim punën tonë dhe ndeshjet tona, ata e kanë filluar kampionatin me arbitrat, por fakti është që i kanë favorizuar që nga ndeshja me Tiranën, e më parë nga Jemini. Por ne nuk kemi thënë asgjë, nuk kemi folur.

Por do vijë dita që ne do flasim për të gjitha rastet që gjyqtarët kanë favorizuar Partizanin. E keni parë ndeshjen e tyre në Gjirokastër si e fituan? Partizani ka që në fillim të kampionatit që merret dhe bën presione ndaj gjyqtarëve, ndaj këta arbitra i kanë favorizuar. Gjithsesi ne do flasim kur ta shikojmë të arsyeshme”, u shpreh numri një i verilindorëve.

MODELI I TIFOZËVE
Ai u mor edhe me sjelljen e tifozëve, ndërsa tha: “I keni parë ndeshjet tona? Për aq vite që unë jam në krye të klubit, nuk kanë ndodhur kurrë trazira apo përplasje tifozësh. Në Kukës ne nuk kemi bërë presione dhe i kemi mirëpritur të gjithë, ndërsa tifozët e Partizanit kanë ardhur e kanë dëme në stadium, duke thyer stolat. Kukësi do jetë një klub model në të gjitha drejtimet”.

GJYQTARËT E HUAJ

Pas kërkesës së Partizanit që ndeshja me Kukësin të gjykohet nga të huaj, presidenti deklaron se është kundër. “Nuk ka qenë praktikë në kampionatin tonë, por kjo nuk do të thotë se e kam problem. Në këtë pikëpamje, them që s’jam dakord për gjyqtarët e huaj. Unë s’kam asnjë problem me arbitrimin, sido që të jenë: shqiptarë apo të huaj.

Por nëse do të kërkonin të gjitha klubet arbitra të huaj, do bëhej mishmash i paparë. Partizani flet për arbitrat, kur në fakt janë të favorizuar prej tyre, kur ata nuk fitojnë dot në fushë. E kemi parë Jeminin që ka favorizuar Partizanin, ia dha ndeshjen në tavolinë. E patë me Tiranën se çfarë ndodhi? Unë nuk dua të flas për arbitrat, pasi ne do shohim punën tonë, do luftojmë fort dhe në fushë”, shtoi Gjici.

APELI PAS KANDIDATURËS
Presidenti u bëri thirrje tifozëve që ta përkrahin ekipin në 5 javët e mbetura. “I bëj thirrje tifozerisë dhe qytetarëve që të mbështesin Kukësin në këto javë të mbetura, pasi vetëm kështu mund të shpallemi kampionë. Unë u premtoj atyre që të rrinë të qetë dhe të jenë pranë ekipit, pasi Safet Gjici ka qenë dhe do jetë në krye të klubit të Kukësit dhe do ta mbështesë atë maksimalisht. Ekipin do ta fuqizojmë akoma edhe më shumë”, përfundoi numri një i Kukësit./panoramasport/

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: