Kukësi fitoi thellë kundër Tiranës në “Zeqir Ymeri”, por presidenti Safet Gjici vazhdon ritualin e përjavshëm. Mbas përfundimit të ndeshjes, numri një i klubit ka urdhëruar për mbledhje stafin. Dje, në orën 10:00 të mëngjesit, në zyrën e presidentit të klubit kanë mbërritur të gjithë pjesëtarët e stafit teknik dhe atij administrativ.

Presidenti dhe trajneri Gjoka janë dëgjuar më shumë në këtë mbledhje, ku i pari i ishte i kënaqur nga rezultati, por jo nga loja në pjesën e parë. Ndërsa trajneri ra dakord me ato çka tha presidenti dhe premtoi më shumë në ndeshjen e radhës, e cila është e një rëndësie të veçantë, pasi Laçi rrezikon seriozisht rënien. Nga ana tjetër, Kukësi kërkon me çdo kusht fitoren për të ruajtur vendin e parë. “Panorama Sport” ka arritur të zbardhë fjalimin e presidentit Gjici dhe ato çka kërkoi ai nga stafi.

“Ju kam thirrur për të bërë analizën për ndeshjen me Tiranën, për të cilën dua të them që jam i kënaqur me rezultatin, por i pakënaqur me skuadrën për pjesën e parë. Bëmë shumë gabime dhe nuk ishim në lartësinë e duhur. Pashë shumë lojtarë që nuk kuptoheshin dhe ngatërroheshin në fushë. Kjo ndeshje iku.

Tani duhet ta dini që këtë javë presim Laçin, që është për të rënë nga kategoria dhe do kërkojë me çdo kusht të na ndalë. Prandaj kërkoj nga ju të gjithë, duke filluar nga trajneri e me radhë, që të punojmë fort këtë javë, të marrim masat e duhura dhe atë ndeshje ta fitojmë me çdo kusht dhe shumë shpejt.

Kemi mundësi dhe organikën e duhur për ta bërë këtë, ndaj është detyra e trajnerit që të merret me futbollistët për t’u marrë më të mirën. Shumë prej lojtarëve të dëmtuar na kthehen kështu, që s’ka rezultat tjetër veç fitores”, mësohet të ketë thënë presidenti Gjici.

Ndërsa trajneri Gjoka ka qenë plotësisht dakord me ato çfarë ka thënë presidenti dhe ka premtuar se përgatitjet intensive do vazhdojnë, me qëllim që ekipi të jetë gati për fitoren e radhës.

“Janë të drejta ato që thotë presidenti. Ne do vijojmë punën tonë, për të marrë më të mirën në ndeshjen e radhës dhe në 6 finalet që na kanë mbetur”, ka deklaruar mes të tjerave trajneri Gjoka. Mbledhja ka zgjatur një orë dhe gjithçka duket në harmoni të plotë në kampin verilindor.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: