Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për Qarkun e Vlorës Damian Gjiknuri, shoqëruar nga kandidatët Vilma Bello, Edmond Leka, Elona Hodaj dhe Saniela Xhaferri zhvilloi një takim me banorë të zonës së “3 Racave”.

Gjiknuri ju bëri me dije banorëve se në katër vitet e qeverisjes së Partisë Socialiste, Vlora është qarku që ka përthithur më shumë investime, në masën 300 milionë euro. Më tej, ai insistoi se vizioni është për ta kthyer tanimë këtë qytet në destinacionin kryesor pas Tiranës.

“Duke e kthyer Vlorën në një qendër të rëndësishme edhe turistike për të gjithë jugun, të jetë porta kryesore e jugut. Të gjitha këto projekte të mëdha që kanë filluar dhe që 4-vjeçarin tjetër do të përfundojnë, ashtu sikurse ka thënë Kryeministri, me katërfishin e investimeve, patjetër do ta bëjmë këtë vend më interesant. Të rinjtë e të rejat nuk kanë pse të ikin nga Vlora por do ta gjejnë veten këtu, disa në sektorin publik dhe pjesa tjetër në sektorin privat. Turizmi këtu do të zhvillohet por edhe industritë tjera do të zhvillohen, jam i bindur për këtë. E shikoj që në Vlorë po rikthehet jeta dhe dinamika. Që kjo të garantohet, duhet që ne të gjithë t’i bindim edhe ata që janë më skeptikët, edhe ata që janë më indiferentët, të votojnë për numrin 2, për qeverinë e reformave”, theksoi Gjiknuri.

Kandidatja Vilma Bello ftoi të gjithë banorët që të bëhen pjesë e fitores së jashtëzakonshme të 25 qershorit.

“Forca të gjithëve. Në datë 25, të gjithë bashkë të votojmë Partinë Socialiste, të votojmë numrin 2. Energji pozitive, angazhim maksimal dhe besim në fitoren e jashtëzakonshme që duhet të arrijmë në datën 25. Fitore”, u shpreh ajo.

Një ftesë e veçantë edhe për ata që janë ende të lëkundur apo skeptikë kishte edhe kandidati Edmond Leka.

“Edhe pak ditë na kanë ngelur nga data 25 qershor. Edhe pak ditë që edhe ata më skeptikët, edhe ata që nuk e kanë votuar kurrë Partinë Socialiste, edhe një i djathtë, të reflektojë dhe t’i mbushet mendja që të kthejë vëmendjen nga realiteti. Të kthejë vëmendjen e të shohë çfarë janë bërë në këto 3 vjet. E sigurt që me votën e tij do vejë në 25 qershor tek numri 2, tek Edi Rama”, nënvizoi Leka.

Mbështetja e dhënë deri më tani në formë investimesh nga qeveria dhe Kryeministri Edi Rama, në vlerësimin e kandidates Elona Hodaj e bëjnë të detyrueshme që vlonjatët ta kthejnë respektin me votë.
“Është momenti i duhur, njeriu i duhur, është partia e duhur. Për t’i kthyer respektin Kryeministrit të Shqipërisë për ato çka ka bërë për Vlorën, për gjithë Shqipërinë dhe jo vetëm. Fitore! Në datën 25 vetëm numrin 2”, theksoi Hodaj.

Kryebashkiaku i Vlorës Dritan Leli pranoi se qyteti ka ende probleme, pavarësisht investimeve të shumta, por insistoi se askush nuk do të mund t’u japë atyre zgjidhje përveçse qeverisë së drejtuar nga Partia Socialiste dhe Kryeministri Edi Rama.

“Qyteti që gjetëm kishte problematika të pafundme dhe investimet që na duhen janë shumë më shumë se kaq. Sigurisht, a i kemi bërë të gjitha?! Absolutisht jo! Ne do të kemi të gjithë së bashku Vlorën që duam, Shqipërinë që duam. Vlora që Duam dhe Shqipëria që Duam fillon nga Vlora e flamurit dhe Vlora e Ismail Qemalit, fillon nga vota e ju të gjithëve që jeni në këtë shesh”, u shpreh Leli.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: