* Gjosha takon Kukan e Fleckenstein: Na jepni rekomandimin! Eurodeputetët: Implementoni reformën në drejtësi

Ministrja e Integrimit Klajda Gjosha ka mbyllur vizitën 2-ditore në Bruksel, në përfundim të së cilës kërkoi nga BE rekomandimin pozitiv për çeljen e negociatave.

Ministrja Gjosha tha se qytetarët shqiptarë meritojnë rekomandimin për çeljen e negociatav pasi me reformën në drejtësi, është plotësuar parakushti i kërkuar nga BE-ja

“Ka qenë një vizitë teje intensive, 2 ditore me shumë takime, jo vetëm me Komisionerin Hahn por edhe në parlament ku kam patur edhe dy takime me z. Fleckenstein dhe z. Kukan, por edhe me Grupin e Punës për Ballkanin Perëndimor. Patjetër që është diskutuar për raportin e radhës dhe normalisht është e kuptueshme edhe vizita ime vetëm pak javë para publikimit të këtij raporti. Është një frymë tejet pozitive. Unë mund t’ju them që kalimi i ndryshimeve kushtetuese për reformën në drejtësi ka qenë një parakusht për Shqipërinë në mënyrë që të merrej një rekomandim pozitiv. Gjithashtu edhe ligji i vettingut i cili tashmë është i miratuar edhe ne shpresojmë që do të fillojmë shumë shpejt implementimin e tij. Në këtë këndvështrim unë si Ministre e Integrimit kam kërkuar që fjala e dhënë nga instancat më të larta të BE, qytetarëve shqiptarë, se në rast se do të arrihej miratimi i kësaj reforme si dhe miratimi i ligjit të vettingut, Komisioni Europian do ti japë Shqipërisë një rekomandim pozitiv për çeljen e negociatave. Kjo ka qenë një kërkesë e drejtpërdrejtë si nga ana ime edhe nga Ministri Manjani në një takim të përbashkët që kemi patur”, deklaroi Gjosha.

Sipas saj, është shumë e rëndësishme që kjo të kthehet në realitet pasi një rekomandim pozitiv do të japi një shtysë më të madhe qeverisë shqiptare bashkë me opozitën për të punuar së bashku në mënyrë që të implementojmë me sukses reformën në drejtësi, por mbi të gjitha do të jetë edhe një perspektive shumë e qartë që do ti jepet qytetarëve shqiptar se Europa nuk na ka harruar dhe se politika e zgjerimit vazhdon të mbetet një prioritet.

TAKIMET ME KUKAN E FLECKENSTEIN
Ministrja e Integrimit Europian, Klajda Gjosha, gjatë vizitës dy ditore në Bruksel  zhvilloi disa takime në Parlamentin Europian. Ministrja, u prit nga eurodeputetët Eduard Kukan dhe Knut Fleckenstein, ku ka kërkuar sërish rekomandimin për çeljen e negociatave për futjen në BE.

Eurodeputetët, vlerësuan maksimalisht miratimin konsensual të reformës në drejtësi, duke e konsideruar si një hap të madh përpara për Shqipërinë, në rrugën e saj drejt Bashkimit Europian.

Eurodeputetët, vunë theksin te domosdoshmëria e implementimit të kësaj reforme, duke mundësuar rezultate të prekshme nga qytetarët.

Në këtë kontekst, Ministrja e Integrimit Europian, Klajda Gjosha, u shpreh se Shqipëria është e vendosur të konkretizojë zbatimin e reformës në drejtësi, përmes procesit të integrimit. Ministrja Gjosha, theksoi se domosdoshmëria e dialogut politik konstruktiv i shërben pikërisht këtij procesi.

“Ky dialog  dhe vullnet pozitiv i treguar për reformën në drejtësi, është i domosdoshëm të vazhdojë edhe me ligjet e tjera që duhet të miratohen, pasi i shërben të gjitha palëve politike, por dhe të ardhmes së vendit”, tha Ministrja Gjosha.

Ministrja theksoi se implementimi i reformës në drejtësi do të kërkojë kohë, por shprehu bindjen se përmes kapitujve 23 dhe 24 të cilët lidhen drejtpërdrejt me shtetin e së drejtësi, zbatimi i saj do të bëhej më konkret.

“Prandaj dhe për ne është me shumë rëndësi, marrja e një rekomandimi pozitiv për çeljen e negociatave me BE-në pikërisht me këto kapituj, të cilët në fakt do të jenë të parët që do të hapen dhe të fundit që do mbyllen”, tha Ministrja Gjosha.

Ministrja u shpreh se Shqipëria meriton një raport pozitiv nga Komisionin Europian dhe se marrja e rekomandimit do të ishte shtysa me e mirë, për të vazhduar rrugën e reformave shtetndërtuese, të cilat i shërbejnë të ardhmes së vendit dhe qytetarëve.

Eurodeputetët inkurajuan Shqipërinë për të ecur përpara me procesin e integrimit, duke nënvizuar se ky moment pozitiv duhet përdorur pikërisht në funksion të së ardhmes europiane.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb