Ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha, vlerësoi sot rezolutën për Shqipërinë, miratuar nga Komisioni i Jashtëm i Parlamentit Europian(PE), si një tjetër shtysë e fortë, për të vazhduar punën me të gjitha reformat që mundësojnë luftën e ashpër kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe përmbylljen sa më të shpejtë të reformës zgjedhore.

Janë këto, kriteret kyçe që do të ngrenë standardet e demokracisë në vend dhe do të çojnë përpara procesin e integrimit, thuhet në një deklarate per shtyp. Nëpërmjet dialogut konstruktiv dhe vullnetit për konsensus, kjo rezolutë flet qartë për punën e madhe që na pret në vijim, ku të gjithë aktorët duhet të jenë bashkë, duke mos harruar për asnjë çast se kryeaxhenda e vendit është: Integrimi në Bashkimin Europian, shprehet ministrja Gjosha.

Thirrja e bërë nëpërmjet kësaj rezolute për hapjen e negociatave, me arritjen e progresit të besueshëm në implementimin e reformës në drejtësi, duhet të na angazhojë edhe më shumë që këtë gjuhë pozitive ta përkthejmë në rezultate të prekshme për qytetarët dhe të ardhmen tonë europiane.

Deklarata e ministres mbyllet me falenderimet për Parlamentin Europian dhe veçanërisht, eurodeputetin Knut Flackenstein, për mbështetjen e pakursyer ndaj Shqipërisë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: