TIRANË- Kreu i PDK-së Nard Ndoka ka folur pas mbledhjes në selinë blu të partive aleate të PD-së me Lulzim Bashën. Ai tha se ndalimi i koalicioneve është një goditje për pluralizmin por se tanimë jemi para një fakti të kryer.

Ndërsa burime për “BalkanWeb” pohuan se Basha ka kërkuar që të gjitha partitë opozitare parlamentare të garojnë nën logon e PD-së dhe krerët të jenë në listat e PD-së, Ndoka deklaroi se kjo është zgjidhja më e mirë. Ai e cilësoi këtë pjesë të marrëveshjes Rama-Basha si një lëvizje më shumë nga krahu i majtë duke thënë se aty është problematika më e madhe.

Nuk kanë munguar as batutat për ngjalat dhe mishin.

“Gjykoj që ishte e vetmja mundësi, do të orientohemi gjithsecili pas përfaqësimit tonë. Basha ka pasur mandatin e partive opozitare, ka pasur kontakte të vaxhueshme me ne. Ka pasur transparencë. Nuk kishte zgjidhje tjetër në këto kushte. Nuk është zgjedhja më e mirë por jemi para një fakti. Është një goditje për pluralizmin dhe partive politike, por është një lëvizje më tepër nga krahu i majtë. Aty si duket është problematika më e madhe, ngjalat është një periudhë e nuk janë të përshtatshme për këtë stinë. Besoj që mozaiku dhe vlerat e së djathtës do të gjejnë një formulë përfaqësimi”, u shpreh Ndoka.

I pyetur se ku është më shumë PDK Ndoka tha: “Ne jemi më tepër tek mishi”.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: