TIRANE- Ndërtimet pa leje anekënd Shqipërisë u prishën dhe po prishen, por në zemër të ish-Bllokut dora e shtetit nuk ndihet. Një ngrehinë 3-katëshe qëndron prej disa vitesh në rrugën “Brigada e VIII”, por asnjë zyrtar apo zbatues i ligjit nuk bën më të voglin verifikim për ligjshmërinë e saj. Selektiviteti në goditje njihet prej kohësh si fenomen i institucioneve tona, ndërsa edhe këtë herë kjo dëshmohet si mungesë dëshire për zbatimin ligjit.

Në rendin e parë të ndërtimet dhe buzë rruge askush nuk është shqetësuar për këtë ndërtesë që jo vetëm është ndërtuar pa leje, por pronari i saj nuk ka denjuar as ta përfshijë në procesin e legalizimit.

Bashkia e Tiranës prej ditësh nuk jep asnjë përgjigje për këtë fakt duke kërkuar të verifikojë rastin në terren.

Por e vërteta qëndron aty duke sfiduar edhe Inspektoratin Kombëtar të Mbrojtjes së territorit që me shpërthime të bujshme nuk ka pyetur për pallate në emër të ligjit jo më për një godinë që nuk dihet çfarë funksioni ka. Por ato që mbeten janë pyetjet… ligji është për periferinë pa përfshirë qendrën e Tiranës apo është për rrethet dhe jo kryeqytetin ? Është për të pamundurit që nuk munden apo është për të mundurit që mundin edhe ligjin për shkak të të ardhurave dhe njohjeve të forta?

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb