TIRANE – Gjykata e Tiranës ka dënuar me një vit burg një 30-vjeçare dhe mbesën e saj, të cilat janë zbuluar nga kamerat e sigurisë së një marketi se ishin duke vjedhur produkte të ndryshme. Konkretisht, gjykata dënoi 30-vjeçaren me iniciale A.M., me profesion mësuese, si dhe mbesën e saj, 22-vjeçaren me iniciale F.P.

Të dyja këto shtetase kanë përfunduar në prangat e policisë më 20 janar të këtij viti, teksa në një supermarket në kryeqytet janë kapur duke vjedhur parfume, kremra, pastë dhëmbësh si dhe produkte të ndryshme ushqimore, si djathë kaçkavall dhe sallam. Nga vëzhgimet që policia ka bërë në kamerat e sigurisë, ka rezultuar se dy të arrestuarat shfaqeshin duke futur në çantat e tyre produktet e marra nga raftet dhe nuk i kalonin ato në kasë.

Në cilësinë e të pandehurave para gjykatës, mësuesja dhe mbesa e saj kanë tentuar të vetëmbrohen, ku janë shprehur se kanë harruar të kalojnë produktet në kasë dhe nuk kanë pasur si qëllim vjedhjen e produkteve. Ndërkohë, kjo dëshmi e tyre nuk është marrë për bazë, pasi sipas prokurorisë, sjelljet e tyre në supermarket dhe fshehja në çantë e sendeve të marra nga raftet, janë prova të cilat shprehin se të dyja këto shtetase kanë kryer vjedhje në bashkëpunim.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb