TIRANË- Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla ka deklaruar sot se persona pjesëmarrës në grushtin e shtetit në Turqi fshihen në Shqipëri. Nga Konferenca Ndërkombëtare e Prokurorëve të Përgjithshëm të rajonit e më gjerë, Llalla tha se kanë nisur hetimet për këtë çështje.

“Persona pjesëmarrës në puçin në Turqi fshihen në Shqipëri. Janë vënë në dispozicion informacione konkrete. Po bëjmë verifikime, do hetohen edhe biznese”, ka theksuar Llalla.

Deklarata e tij vjen pak ditë pas takimit me Prokurorin e Përgjithshëm të Republikës së Turqisë, Mehmet Akarca, i cili kërkoi bashkëpunimin e autoriteteve shqiptare për hetimin e disa prej personave të përfshirë në ngjarjet e 15 lorrikut 2016 në Turqi, për të cilët institucionet ligjzbatuese turke kanë dyshime se strehohen në Shqipëri.

Prokuroria e Përgjithshme organizon për herë të parë në Shqipëri, një Konferencë Ndërkombëtare, me temë “Qasjet e reja hetimore ndaj organizatave kriminale që përdorin internetin”.

Kryeprokurori Adriatik Llalla në fjalën e tij, në çelje të konferencës u shpreh se, Shqipëria tashmë është në një fazë të rëndësishme të forcimit të sistemit penal.

Kryeprokurori tha se në vitin 2016, ligjvënësit miratuan një prej paketave ligjore më të rëndësishme në dy dekadat e fundit-Reformën në Drejtësi.

“Kuadri i ri ligjor është i azhornuar me praktikat më të mira europiane. Ai synon forcimin e kapaciteteve në luftën kundër korrupsionit vendas, krimit të organizuar, si edhe forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar”, tha Llalla.

Ai shtoi se, “në vendin tonë, aktualisht ka një vullnet të plotë të shprehur politik, për të luftuar krimin e organizuar dhe sidomos trafikun e narkotikëve. Autoritetet shqiptare tashmë kanë hartuar një strategji kombëtare kundër trafikut të narkotikëve dhe zbatimi i saj, kërkon, domosdoshmërisht edhe bashkëpunimin ndërkombëtar”.

Duke folur për internetin, Llalla vuri në dukje se, teknologjia ka përmirësuar jetën dhe shërbimin për qytetarët. Por nga ana tjetër, tha ai, në duart e grupeve kriminale, ajo është shndërruar në një mjet efikas për t’iu shmangur agjencive të zbatimit të ligjit.

“Për këtë arsye, strukturat hetimore janë të detyruara që të realizojnë bashkëpunim shumë të ngushtë dhe shkëmbim të dhënash në kohë reale për të pasur rezultate pozitive. Lektorët në këtë konferencë do të sjellin praktikat e deritanishme, si edhe mekanizmat për të forcuar më tej luftën e përbashkët kundër krimit të organizuar. Për këtë arsye, ne do të dëgjojmë nga ekspertët gjithçka që do të jetë e nevojshme, si edhe do të evidentojmë kapacitetet që duhen përmirësuar”, deklaroi Llalla.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: