TURQI– Policia ka arrestuar mbi 1 mijë persona gjatë një operacioni në të gjithë Turqinë kundër një lëvizjeje të fajësuar për tentativën e dështuar për grusht shteti vitin e kaluar. Operacioni policor ka në shënjestër një strukturë sekrete brenda forcës së policisë së Turqisë.

Autoritetet turke kanë bërë të ditur se një rrjet që mbështet klerikun Fetullah Gylen organizuan tentativën për grusht shteti në vitin 2016 për të rrëzuar presidentin turk Rexhep Taip Erdogan.

Që kësaj ngjarje të rëndë, ku humbën jetën 249 persona, qeveria ka akuzuar lëvizjen Gyleniste për ndërhyrje në institucionet turke, duke përfshirë këtu policinë, ushtrinë, sistemin gjyqësor dhe për drejtimin e një shteti brenda shtetit, shkruan “RT”.

Turqia ka bërë të ditur se që prej tentativës për grusht shteti, 47 mijë persona janë arrestuar, duke përfshirë 10 mijë e 700 policë. Ndërsa mijëra persona të tjerë u shkarkuan nga detyra. Dhe shumë media opozitare u mbyllën.

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës shprehu zemërimin ndaj Turqisë duke bërë thirrje për masa për të lirinë e shtypit. Sakaq, Erdogan në një intervistë për agjencinë e lajmeve “Reuters” akuzoi Bashkimin Evropian se po i mbyll dyert Turqisë.

“Situata po bëhet shumë serioze në Evropë përsa i përket islamofobisë”, është shprehur Erdogan. Më herët gjatë këtij muaji, presidenti Erdogan fitoi referendumin për rritjen e fuqive.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb