* Lista e vendimeve të gjyqtarit Aliaj, që e shkarkoi KLD
TIRANE- Pas pezullimit te Haki Cakos me vendim gjykate pas nje kerkese te Prokurorise, sot kryefjale eshte bere gjyqtari qe ka dhene vendimin. Nga njëra anë kryeministri Edi Rama dhe ministri i Brendshëm Saimir Tahiri mbrojnë Çakon dhe akuzojnë prokurorinë dhe gjykatësit si të korruptuar dhe nga ana tjetër opozita kërkon dorëheqjen e ministrit Saimir Tahiri pas pezullimit të kryepolicit Çako, dhe flet për presion ndaj Gjykatës së Apelit.
Arian Aliaj, eshte gjyqtari qe pezulloi nga detyra Haki Cakon me kerkese te prokurorise. Kryeministri Rama dhe ministri Tahiri e kane emertuar sot kete gjyqtar si simbol te se keqes ne gjyqesorin shqiptar.
Kryeministri Edi Rama ka reaguar ashpër ndaj pezullimit te Haki Cakos, duke hedhur jo pak akuza në drejtim të gjyqtarit Arjan Aliaj qe dha kete vendim, madje duke e quajtur një “killer me pagesë” apo “me flamur partie” të drejtësisë.

“Kush është gjykatësi që vendosi pezullimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë? Një personazh aq thellë i zhytur në kënetën e sistemit të drejtësisë sa vetë Këshilli i Lartë i Kënetës e ka shkarkuar për korrupsion dhe mospërmbushje të detyrës! Ky killer me pagesë apo me flamur partie i drejtësisë ka liruar nga burgu të paktën 7 herë njerëz të dënuar për vepra të rënda penale; vrasje, përdhunime, grabitje me armë…”, shkruan Rama në facebook.

Ai ka shtruar pyetjen se si është kthyer në detyrë gjyqtari Aliaj dhe kujt i duhej rikthimi i tij. “Po si mundi të kthehet në detyrë ky lloj personazhi që me vendimet e tij kriminale arriti të verë në pozitë të vështirë edhe vetë sistemin e korruptuar të drejtësisë?! Kujt i duhej rikthimi nga i ndëshkuar në gjykatës i këtij shkelësi profesionist të ligjit, që ka dhënë të paktën 7 prova se çekiçin e drejtësisë e përdor për t’i shtypur kokën drejtësisë?”, deklaron Rama.

Dhe përgjigjen e jep vetë kryeministri, duke thënë se e rimori çekiçin në dorë se iu duhej atyre që nuk e duan reformën e drejtësisë.

“Thjeshtësisht e hidhur është përgjigja: Ky derdimen pa din e as iman e rimori çekiçin në dorë sepse u duhej atyre që sot nuk e duan Reformën në Drejtësi, për të shtypur drejtësinë për hesap të interesave të tyre!”, deklaron Rama.

TAHIRI: GJYQTARI ALIAJ PËRFAQËSUES I PROKURORËVE DHE GJYQTARËVE TË QELBUR NGA KOKA
sajmir tahiri4
Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ka dalë sot hapur kundër gjykatësit që dha dje vendimin për pezullimin e kryepolicit Haki Çako. Ai tha se gjyqtari Aliaj është shkarkuar për korrupsion dhe mos përmbushje të detyrës pasi ka liruar nga burgu njerëz të dënuar për vrasje e përdhunim.

“Sot duhet të ndajmë nëse në sistemin e drejtësisë na duhen gjyqtarë që vendosin për qytetarin dhe jo për më të pasurin. Jo të korruptuar në prokurori dhe gjykata që janë peng i atyre që i kanë mbrojtur dhe emëruar”, tha Tahiri.

Ai deklaroi se gjyqtari që pezulloi Çakon është shkarkuar për korrupsion dhe se e mbrojnë ata që nuk e duan reformën.

“Dje publiku u bë me dijë për një vendim gjykatë pas kërkesës së prokurorisë për pezullimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë. Po kush është gjyqtari që vendosi për pezullimin? Është një gjyqtar i shkarkuar për korrupsion dhe mos përmbushje të detyrës. Ka liruar nga burgu të paktën 7 herë njerëz të dënuar për vepra të rënda penale. Si mund të kthehet në detyrë një gjyqtar që liron nga burgu një përdhunues, një vrasës, një njeri që vjedh me armë? Si mund të kthehet në detyrë një gjyqtar që ka dhënë prova dhe është shkarkuar se ka shkelur ligjin? Dhe sot ka guximin të shkelë ligjin me të dyja këmbët. Ky është fytyra e vërtetë e atyre që sot mbrohen nga ata që nuk e duan reformën në drejtësi”, tha Tahiri.

Ai ka kaluar edhe në etiketime konkrete duke folur me emra. “Ky Aliaj është fytyra e vërtetë e gjyqtarëve të korruptuar në sistemin e drejtësisë. Përfaqësuesi më evident i korporatës së të korruptuarve dhe shërbëtorëve politikë që janë të gatshëm të bëjnë gjithçka se detyrën e kanë dhuratë nga pushteti. Ky Aliaj që liron vrasësit, përdhunuesit dhe për arsye procedurale është kthyer në detyrë përfaqësuesi më evident i prokurorëve dhe gjyqtarëve të qelbur nga koka që nuk duan reformën në drejtësi dhe duan të mbajnë Shqipërinë peng. Për ata që deri dje ishin në qeveri dhe që sot i thonë vetes opozitë dhe që mbajnë peng sistemin e drejtësisë, reformën në drejtësi duan vende të rezervuara. Ça janë? Bunkeri i sigurt ku duan të fusin gjyqtarë alla Aliaj, prokurorë të çdo lloji të qelbët për ti mbrojtur dhe për t’ lënë pjesë të sistemit të drejtësisë. Vendi i rezervuar është vend parkimi i të korruptuarve të sistemit të drejtësisë”, deklaroi Ministri i Brendshëm.

Ja lista e vendimeve skandaloze të gjyqtarit Aliaj, që e shkarkoi KLD
Këshilli i Lartë i Drejtësisë me vendimin nr. 99, datë 20.12.2000 ka vendosur shkarkimin nga detyra të gjyqtarit Arjan Aliaj për shkelje të disiplinës dhe për kryerjen e veprimeve në kundërshtim me përmbushjen e rregullt të detyrës.
Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë kanë vendosur se Vendimi i KLD ka qenë në përputhje me kërkesat ligjore dhe si i tillë duhet të lihet në fuqi.

Çështjet për të cilat KLD ka dhënë masën e shkarkimit për gjyqtarin Arjan Aliaj:

· Gjyqtari Arian Aliaj me vendim nr.61, datë 13.10.1999, ka liruar nga burgu një person të dënuar me 14 vjet burgim, për marrëdhënie seksuale me dhunë.

· Gjyqtari Arjan Aliaj me vendimin penal nr. 32, datë 24.05.1999 ka liruar nga burgu një person të dënuar për vrasje me dashje, mbetur në tentativë dhe armëmbajtje pa leje.

· Gjyqtari Arian Aliaj ka dhënë edhe të paktën 4 vendime të tjera për lirim para kohe me kusht për të dënuar që kanë kryer vepra të rënda penale, si vjedhje me armë dhe vjedhje me dhunë.

· Gjyqtari Arian Aliaj me vendimin nr. 255, date 23.04.1999, ka dënuar një pandehur me 2 vjet, megjithëse minimumi sipas Kodit Penal është 5 vjet.

· Gjyqtari Arjan Aliaj ka dënuar 30 protestues të opozitës pjesëmarrës në protestën e 21 janarit të vitit 2011.

Ministri Tahiri tha sot se sistemi i drejtësisë në vend është i kapur peng. Ai tha se me reformimin e këtij sistemi do t’u jepet fund abuzimeve me sistemin.

“Drejtësia sot është e kapur peng, sepse pushteti politik në kohëra i ka krijuar imunitet në kohëra gjyqtarëve e prokurorëve kur ata janë kapur një paligjshmëri. Ky Aliaj, ka liruar vrasës, përdhunues, dhe sot i shërben udhëheqësve politikë. Kjo nuk është drejtësia që ne duam për fëmijët tanë. Ne duam që Shqipëria të jetë realisht më e drejtë. Duam që ligji të veprojë njësoj për të gjithë. Beteja jonë është kundër frontit të së keqes. Atyre që duan vende të rezervuara si bunker për gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar, që u dalin prej hundësh luksi, ne nuk duam këtë sistem drejtësie. Në këto detyra duhet të jetë gjyqtarë dhe prokurorë të ndershëm. Në duam të çmontojmë këtë pushtet të kalbur që nuk garanton qytetarët, por pushtetarët, i cili nuk jep drejtësi sipas së drejtës, por sipas xhepit.
Duam që njerëz si ky Alia të mos kenë më vend në sistem. Ne nuk e kemi fshehur që ditën e parë, qëllimin tonë madhor për të garantuar drejtësi. objektivi ynë madhor, ka qenë krijimi i një Shqipërie më të drejtë.

Ne duam të tregojmë vullnetin tonë për një polici të ndershme.

Ata që janë çuar para prokurorisë nga prokuroria dhe gjykata janë për shkak të punës së policisë, të kapur në flagrancë, duke marrë lek në këmbim të vendimeve. Pse nuk i kapën prokurorët e tjerë. Sistemi është aq i kalbur sa është e pamundur të veprosh me mekanizma të tjerë, përveç një tërmeti nga themeli. Aliaj dhe fytyra të tjera si Aliaj, nuk duhet të fshihen kur lirojnë vrasës e përdhunues. Bëjnë pazare të përditshme me korrupsion, pasi i shërbejnë pushtetit politik.

Por neve kjo nuk na duhet. Ne po bëjmë një mekanizëm efektiv në policinë e shtetit, për të qenë transparent, larg korrupsionit.

Është kjo arsyeja pse komisariati dixhital nuk jep asnjë mundësi që polici të mos korruptohet, të mos tentojë të mosveprojë. Këto të gjitha në tregojnë se reformat që kemi nisur janë në rrugën e duhur. Të bësh Shqipërinë vendin dhe shoqërinë e drejtë që duam, kërkon punë dhe sakrifica.
Këto që shihni sot janë grahmat e fundit, shkërmoqjet e fundit të një sistemi që po shembet. Çdo prokuror apo gjyqtar që po përpiqet të na pengojë në përpjekjen tonë për reformimin e sistemit të drejtësisë, është në grahmat e fundit”, tha ministri Tahiri.

BASHA: KRYEMINISTRI PO USHTRON PRESION MBI GJYKATËN E APELIT, PËR HAKI ÇAKON
lulzim basha444
Kryeopozitari Lulzim Basha deklaroi sot se kryeministri Edi Rama dje kërcënoi prokurorinë dhe se po i bën presion Gjykatës së Apelit, pasi ndihet i fiksuar me faktet që mund të bëjë publike Haki Çako, i cili u pezullua dje nga detyra lidhur me çështjen e pajisjes së përgjimit. Ndërsa Tahiri sulmoi hapur gjykatësin që pezulloi Çakon, duke deklaruar se ai ka liruar vrasës e përdhunues dhe se është fytyra e vërtetë e korrupsionit.

I pranishëm në konferencën për antikorrupsionin dhe transparencën, Basha theksoi se ‘koka e turkut’ nuk mund të jetë Çako, i cili apeloi sot vendimin për tu rikthyer në detyrë.

“Sot që flasim, kryeministri po ushtron presion mbi gjykatën e Apelit, për të lënë kokën e turkut Haki Çakon për ta kthyer në detyrë. Ky është një investim i drejtpërdrejtë vetëmbrojte. Sesa larg është ky kryeministër por të fshehur të vërtetën e kemi parë, por pyetja është se çfarë duhet të bëjmë. I them eja votoje reformën në drejtësi kështu siç është. Opozita ka pranuar një nga versionet e ‘Venecias’, nuk do pranojmë kurrë asgjë më pak se kjo. Kjo nuk është çështje që i takon opozitës, po çdo qytetari shqiptar. Mungesa e transparencës është nëna e korrupsionit. Korrupsioni në drejtësi është pasojë e drejtpërdrejt e korrupsionit politik. Ky meriton një ndëshkim me votë. Transparenca është dezinfektanti më i mirë ndaj korrupsionit”, tha Basha.

(ed.me/m.k/el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: