Pas asaj tronditjeje që i dha rënia e Tiranës nga Superiorja për herë të parë, Refik Halili po kalon një verë që ndoshta nuk e kishte parashikuar. Shprehja popullore se pas çdo të keqeje, vjen një e mirë, duket se ka vend te bardheblutë. Sot Halili ka pse të krenohet pas atij shoku psikologjik që përjetoi klubi 24 herë kampion i vendit.

Është pikërisht merkatoja, nga ku thuajse të gjithë lojtarët e Tiranës, jo vetëm synohen nga klube të Superiores, por për gjysmën e tyre ka oferta zyrtare nga ekipe jashtë Shqipërisë. “Ky klub, që doli nga Superiorja, me kaq shumë kërkesa që ka për lojtarët, do të thotë se nuk e ka merituar rënien. Kjo që po ndodh me merkaton është shumë e rëndësishme, pasi më tepër janë në qendër të vëmendjes lojtarët e Tiranës, sesa të skuadrave të tjera”, – thotë me krenari Halili gjatë një bisede për “Panorama Sport”.

Pengu i madh i presidentit të Tiranës është fakti se pse skuadra e tij shikohej e rënë që në fazën e tretë, në një kohë që ishte 14 pikë larg klubeve të tjera në luftën për mbijetesë. “Sigurisht që ne nuk e meritonim ta mbyllnim në ato pozita, por kanë ndikuar shumë faktorë, për të cilët kam folur edhe më parë. Më dukej absurde kur thuhej në gazeta se Tirana rrezikohej të binte nga Superiorja, në një kohë që ishte 14 pikë larg zonës së ftohtë. Unë mendoj se nuk kanë qenë aspak rastësi ato që kanë ndodhur. Gjithçka ka qenë e mirëmenaxhuar për ta çuar me dashje Tiranën në Kategorinë e Parë”, tregon kreu i klubit bardheblu, i cili nuk ngurron të bëjë edhe një deklaratë në formë batute për përgjegjësitë që ka.

“Unë jam fajtori kryesor dhe do të marr përgjegjësitë e mia. Më mirë t’i marr unë, që të rrinë të tjerët rehat”, theksoi presidenti i Tiranës. Ndërkohë, gjatë kësaj periudhe në klubin bardheblu kanë shpresuar se FSHF duke i zbritur pikët Flamurtarit apo dënuar Skënderbeun, mund t’i hapte rrugën Tiranës për qëndrimin në elitë. “Flamurtarit nuk iu hoqën pikë? Skënderbeu nuk zbriti nga Superiorja? Këto nuk më interesojnë fare, tashmë është mbyllur gjithçka. Unë do të flas vitin tjetër në gusht për Tiranën, tani merruni me Superioren”, ironizon Halili./panoramasport

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: