TIRANE- Panairi i Punësimit dhe studimit ka hapur dyert për të gjithë të rinjtë në Pallatin e Kongreseve në edicionin e tij të 8. Organizatorët e këtij panairi deklarojnë se këtë vit, eventi i cili zgjat 3 ditë, vjen me risi në disa drejtime.

Në hapjen e këtij panairi ishte i pranishëm edhe kryebashkiaku Erion Veliaj, i cili krahasoi rëndësinë e aktivitetit me takimin Rama-basha në po të njëjtën godinë, ku e përbashkëta ishte e ardhmja. Bashkia e Tiranës si punëdhënëse në këtë panair ofron 160 vende të lira pune.

Kryebashkiaku i Tiranës u bëri thirrje të rinjve të fokusohen tek dija dhe librat, ndërsa prindërve u kërkoi të orientojnë fëmijët drejt një profesioni.

“Sot kemi 60 vende pune aktive vetëm nga Bashkia e Tiranës dhe rreth 100 të tjera nga agjencitë tona në varësi, duke filluar nga Ujësjellës-Kanalizimet apo Tirana Parking e kompani të tjera të qytetit”, tha kryebashkiaku Veliaj.

Veç vendeve të punës që ofron si institucion dhe ndërmarrjet e varësisë, Veliaj bëri të ditur se Bashkia e Tiranës ofron edhe një mundësi shumë të mirë për një numër të caktuar studentësh që të ndjekin pranë saj praktikat e punës dhe për t’u përgatitur për sfidat e tregut të punës.

“Kemi gjithashtu disa mundësi për ata që duan të kryejnë praktikën pranë Bashkisë së Tiranës, në një nga ekipet tona të profesionistëve, sidomos për ata që ndjekin arkitekturën, inxhinierinë, urbanistikën, për të gjithë ata që merren me çështje që kanë të bëjnë me menaxhimin e qytetit apo të projekteve të mëdha inxhinierike, si ato që do të hapim shumë shpejt”, shtoi ai.

Në këtë panair ishin të pranishme universitet më të mira në vend dhe kompanitë me reputacion të mirë në treg, të cilat kërkojnë të rekrutojnë njerëz të aftë për profilet e tyre. Kompani publike dhe private ofrojnë vende pune, ndërsa universitetet mundësi studimi brenda dhe jashtë vendit.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb