PRISHTINE- Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, u ka dhënë 10 ditë ultimatum banorëve të fshatrave Shipitullë dhe Hade, në komunën e Obiliqit, që të nënshkruajnë kontratat që ua ka ofruar Qeveria e Kosovës për zhvendosje, në të kundërtën, ka thënë ai, “do të zbatohet Ligji për shpronësim dhe eskavatorët do t’i rrënojnë ndërtimet”.
Në zonën e fshatit Shipitullë dhe Hade, parashikohet të bëhet zgjerimi i pjesë sipërfaqësore për shpërbërje të thëngjillit për prodhim të energjisë elektrike.
Haradinaj ka thënë se një rrjet i “matrapazëve” po pengon procesin e shpronësimit, duke u munduar që të përfitojnë nga situata e krizës së mundshme energjetike.
Këto komente kryeministri Haradinaj i ka bërë pas një takimi që ka pasur me menaxherët e Korporatës Energjetike të Kosovës dhe përfaqësuesit e këtyre fshatrave.
Ndryshe, në muajin shtator kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka arritur një marrëveshje për shpronësim ku thuhej “se është arritur pajtueshmëri e plotë që konform legjislacionit në fuqi, këta banorë të gëzojnë të drejtën e përparësisë në zgjidhjen e shqetësimeve rreth punësimit”.
(BalkanWeb)