TIRANE-Ministrja e Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, Milena Harito sqaron në një intervistë ekskluzive për “Gazeta Shqiptare” se si do të ristrukturohet administrata në mandatin e dytë të qeverisjes “Rama”.

Sipas saj, fillimisht do të ketë një vlerësim të punonjësve të administratës, i cili do të bazohet në performancën e çdo institucioni. Çdo punonjës do të vlerësohet mbi bazën e dosjes së tij profesionale dhe të performancës në vijimësi. Këtë do ta ketë në dorë çdo drejtues i secilit prej institucioneve.

Znj. Harito, kryeministri ka folur këto ditë për shkurtime drastike në administratë. A keni një plan se cilët do të preken nga këto shkurtime?
Është fakt që qytetarët shqiptarë nuk marrin lehtësisht të drejtat dhe shërbimet që u takojnë nga administrata që paguajnë. Për këtë arsye, ristrukturimi dhe rritja e performancës së administratës është domosdoshmëri, për të krijuar kushtet e nevojshme për një administratë efikase, profesionale dhe që t’u përgjigjet sa më mirë kërkesave të qytetarëve, por edhe sfidave të procesit të integrimit europian që ne tashmë kemi nisur. Ky ristrukturim synon të vlerësojë realisht performancën e çdo institucioni të administratës, për të përcaktuar më pas dhe hapat që duhen ndjekur për ta vënë atë në efiçencë të plotë. Në këtë kuadër, sigurisht që do të ketë edhe një vlerësim të punonjësve të administratës.

Sa prej tyre do të humbasin vendin e punës?
Rivlerësimi i punës së administratës do të bazohet në radhë të parë në performancën e çdo institucioni. Kjo është thelbësore. Sigurisht, çdo nëpunës i administratës, në bazë të dosjes së tij profesionale dhe të performancës, do të vlerësohet në vijimësi. Synimi ynë është një administratë efikase dhe punonjës publikë efikasë. Detyrimin për të provuar efikasitetin e çdo institucioni dhe çdo punonjësi, por edhe për ta ndërtuar këtë efikasitet, do ta kenë drejtuesit e institucioneve.

Ju e keni quajtur sukses të mandatit tuaj të parë reformën në administratë dhe në shërbimin civil. A vazhdoni t’i qëndroni këtij mendimi?
Suksesin e reformës në Shërbimin Civil dhe në disa hapa të rëndësishëm që janë realizuar nuk e kemi thënë vetëm ne. E kanë prekur nga afër mbi 55 mijë persona që në 3 vitet e fundit janë bërë pjesë e procesit të rekrutimit në Shërbimin Civil, por e kanë certifikuar edhe partnerët tanë strategjikë që e monitorojnë nga afër. Dy Progres-Raporte të njëpasnjëshme të Komisionit Europian në vitet 2015 dhe 2016 kanë theksuar se reforma në administratën publike është prioriteti me ecurinë më të qëndrueshme ndër 5 prioritetet e integrimit të vendit në BE. Njëkohësisht ata e kanë konsideruar këtë reformë si një shembull të cilit duhet t’i referohen edhe vendet e tjera të rajonit.
Suksesi i reformës në administratën publike në mandatin tonë të parë mund të përmblidhet në 3 momente të rëndësishme:
1) Transformimi i sistemit të rekrutimit në Shërbimin Civil. Sot, fituesit e vendeve të punës në Shërbimin Civil nuk i përcaktojnë më ministritë apo institucionet e tjera, por janë vetë fituesit e konkurseve që kanë të drejtën të zgjedhin vendin e punës që dëshirojnë. Sot kemi një sistem tërësisht online, testim me shkrim me pyetje të sekretuara me “bar code”, intervistë me gojë të regjistruar dhe proces ankimimi të hapur. Eshtë një ndër sistemet më të dixhitalizuara të shtetit shqiptar, pa letër nga fillimi në fund.
2) Ecuria në karrierë. Gjatë 3 viteve kemi bërë të mundur që mjaft nëpunës, të cilët prej vitesh ishin pjesë e Shërbimit Civil, të ngrihen në detyrë falë aftësive të tyre, apo të lëvizin në pozicione paralele, duke u dhënë atyre mundësinë të shprehin më mirë aftësitë e tyre. Gjë që nuk ndodhte thuajse fare para 2013-ës. Janë mbi 700 lëvizje në 2 vjet. Ky mobilitet është një nga mënyrat e profesionalizimit dhe motivimit të punonjësve publikë.
3) Kualifikimi dhe trajnimi i vazhdueshëm i administratës. Forcimi i Shkollës së Administratës Publike ka bërë të mundur trajnimin e mbi 13 mijë punonjësve, nga ana ligjore, profesionale apo teknologjike. Nuk ka rrugë tjetër veç trajnimit të vazhdueshëm.

Atëherë, çfarë do të ndryshoni në mandatin tuaj të dytë? Përse këto shkurtime dhe si do justifikohen ato?
Ajo që ne synojmë në mandatin e dytë është që përvojën e mirë të Shërbimit Civil ta shtrojmë sa më gjerë në administratën publike. Aktualisht e gjithë administrata publike në Shqipëri numëron rreth 90 mijë nëpunës. Prej tyre, 9 mijë janë pjesë e Shërbimit Civil, që menaxhohet nga DAP, dhe rreth 7 mijë të tjerë janë sërish pjesë e Shërbimit Civil, por menaxhohen nga pushteti vendor apo institucionet e pavarura. Vlerësimi i performancës me një sistem efikas si për institucionet edhe për punonjësit, është një nga sfidat reale të këtij mandati. Ne do të synojmë të rivitalizojmë të gjithë punën e administratës, duke e nxjerrë atë nga një lloj apatie e krijuar si rezultat i rutinës së përditshme burokratike dhe duke e orientuar drejt realizimit të projekteve strategjike të zhvillimit, duke forcuar menaxhimin, i cili ka detyrë t’i japë sens dhe motivim gjithë administratës.

Zonja ministre, keni lajmëruar që në janar të 2018-ës çdo nëpunës do të ketë dosjen e tij të të dhënave, e cila do t’ju ndihmojë ju në reformën në administratë. Rrezikon që kjo databazë të përdoret për t’i larguar ata nga puna?
Ne trashëguam një situatë paradoksale, ku për 25 vjet shteti nuk kishte informacionin e duhur se kush punonte për shtetin, çfarë diplomash kishte, çfarë kualifikimesh dhe çfarë karriere kishin bërë këta punonjës, sa ata kanë investuar në trajnim, sa shteti ka investuar tek ata. Regjistri Qendror i Punonjësve Publikë është funksional me dosjet e mbi 12 mijë punonjësve dhe përfundon për gjithë administratën në vitin 2018, tani që Partia Socialiste ka mundësinë të aplikojë e vetme vullnetin e vet politik. Ai krijon për herë të parë historikun e punonjësve dhe institucioneve të administratës publike. Ky sistem shtrihet në të gjitha institucionet e administratës shtetërore, rreth 330 institucione të Shërbimit Civil dhe atyre që trajtohen me Kod Pune, institucione të pavarura dhe njësi të qeverisjes vendore. Ky sistem, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave, po standardizon e formalizon për herë të parë edhe përllogaritjen e pagës së punonjësve publikë. Ky regjistër i domosdoshëm, madje shumë i vonuar, i krijon mundësi shtetit të ketë gjithë informacionin e duhur për punonjësit e tij dhe, po ashtu, të kontrollojë gjithë ecurinë e tyre në punë.

Kryeministri Rama ka zhvilluar dy ditë më parë një takim me nëpunës civilë, të cilët kanë fituar konkurset e DAP 2 vitet e fundit me rezultate maksimale. Ai iu ka kërkuar atyre plotësimin e një formulari për të marrë ide për atë se çfarë duhet të ndryshojë në administratë. Si do të kryhet ky proces?
Kryeministri ka vlerësuar se situata që paraqitet aktualisht në marrëdhëniet midis Shërbimit Civil, pra pjesës teknike të institucioneve të administratës dhe drejtimit politik, shpeshherë nuk ka funksionuar si duhet. Me qëllimin për t’i dhënë një dimension të ri kësaj marrëdhënieje si dhe për ta orientuar pjesën teknike drejt një mënyre të re pune sipas atyre drejtimeve që unë përmenda pak më lart, kryeministri ka kërkuar nga një grup prej 50 nëpunësish civilë, të cilët kanë arritur rezultatet maksimale në procesin e rekrutimit të DAP, mendime konkrete lidhur me marrëdhënien e deritanishme të tyre me drejtimin politik të institucioneve si dhe me pritshmëritë që ata kanë për të ardhmen. Bazuar mbi këto mendime, do të ndërtohet më pas një formular standard për një anketim të të gjithë Shërbimit Civil.

Shkrimin e plotë e gjeni në Gsh.al duke klikuar tek linku:  http://www.gsh.al/2017/07/31/harito-do-ta-nxjerrim-administraten-nga-apatia-e-rutines-se-perditshme-ja-si-do-te-ristrukturohet-ne-mandatin-e-dyte/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: