Nga: Fatmira Nikolli

Arkeologu Eduart Shehi që po monitoron gërmimet në sheshin Veliera në Durrës mohon të ketë dalë një dritë një helmetë ilire gjatë sondazheve që po kryhen në zonë. Edhe pse raportimet e postimet në rrjetet sociale kanë qenë të ndryshme, mbi mure të betonuara, apo sende të dala në dritë e të zhdukura, Shehi mohon të jetë zbuluar ndonjë objekt që është më i vjetër se Mesjeta. Në një kohë që njohës e specialistë të trashëgimisë kanë vënë alarmin për shkatërrim të sitit arkeologjik, Shehi, pjesë e Institutit të Arkeologjisë jep të dhëna për situatën e deritanishme.

“Situata është e thjeshtë ne monitorohemi 24 orë nga kamerat e televizioneve shqiptare. Kantieri është i hapur, dhe është i pozicionuar në mënyrë të tillë që kush të dëshirojë mund ta ndjekë. Ndaj nuk jam i shqetësuar për informacionet që nxjerrin keqdashësit. Situata është e njëjtë me çfarë është
thënë herët e tjera. Nuk ka asnjë ndryshim”, tha ai dje për “GSH”.

Mandej, i pyetur çfarë ka dalë në dritë deri më tani që nga pezullimi i punimeve për ndërtimin e sheshit Veliera nga bashkia Durrës, Shehi tha se “po vazhdojmë me thellimin e gërmimeve e synojmë mbylljen e dokumentimin total të gjetjeve dhe përgatitjen e raportit final. Është vazhdimi i pjesëve të strukturës që kish dalë që ditën e parë që kishim ndaluar punimet”.
2397232
Konkretisht sipas tij, këto ditë është shtuar vetëm numri i gjyleve, përveç strukturës së një banese që është cilësuar si e shekullit 19-të. I pyetur nëse kanë dalë në dritë objekte e struktura më të hershme se periudha e mesjetës, Shehi vëren: “Kantieri ku ne punojmë është i hapur, është kryqëzim rruge dhe i hapur nga të tëra anët. Nuk jemi të mbyllur me llamarina e me asgjë tjetër. Të gjithë jemi nën shikimin e njerëzve 24 orë. Edhe të dalin gjëra e të dua t’i fsheh nuk kam shans t’i fsheh. Se çfarë thuhet për arsye që shkojnë përtej punës së përditshme, më vjen keq, por nuk mund të mbyll gojët”.

Në vijim të interesimit të “GSH”, arkeologu i Institutit të Albanologjisë shtoi se “kultura materiale e gjetur aty është minimale. Dherat që ne po heqim janë në masën dërrmuese, dhera për të mbuluar struktura pas rrafshimit. Në total kanë dalë në dritë dy topa, janë një numër gjylesh që shkojnë mbi 20, bëhen edhe rreth 10-15 fragmente enësh të shpërndara që janë pa kontekst të qartë gjetjeje. Në pjesën dërmuese janë mesjetare dhe ka një fragmente gjylesh metalike, por asgjë tjetër. Po ashtu është gjetur edhe një fragment guri varri osmane që është në formën e çallmës”.

REAGIMET
I nisur si një denoncim për “përçudnim” të peizazhit të Durrësit, pas zbulimeve të dala në dritë pranë Torres, rrjedha e gjuha e reagimeve ndryshoi. Nga akuza për kreun e bashkisë Durrës Vangjush Dako, te reagime që i kthejnë shigjetat nga ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro, specialistët u kanë kërkuar palëve të ndërpresin punimet.
16472871_1172937039489521_837041889433700330_n
Gjerak Karaiskaj, në një reagim për median, ka thënë se lidhur me objektet arkeologjike që kanë dalë gjatë gërmimeve për ndërtimin e Velierës mund të flas vetëm parimisht ngaqë nuk e kam parë gjendjen në vend. “Pavarësisht se në këtë rast kemi të bëjmë me zonën B, në rastin e Durrësit mund të dalin objekte arkeologjike pavarësisht zonifikimit. Në këto raste investitorit i bëhet e qartë se në rast se ndodh që të zbulohen objekte të rëndësishme ndërtimore, mund të ndryshohet projekti dhe deri pezullimi i tij”.

Karaiskaj, ka shtuar se kjo është bërë edhe në rastin konkret. “Investitorit i kërkohet, gjithashtu, të mbulojë me fonde pjesën e gërmimit arkeologjik dhe gjithçka që ka lidhje me modifikimin e projektit nëse lind nevoja. Në rastin konkret duhet bërë një studim i hollësishëm nga specialistë të fushës se çfarë përfaqësojnë këto objekte të dala nga gërmimet, cilat janë të rëndësishme dhe pse, dhe cilat janë shtesa pa vlerë rreth objektit kryesor. Mbas kryerjes së këtij studimi vendoset se çfarë do të ruhet dhe çfarë jo, si dhe shihet mundësia që ky objekt të ruhet i vizitueshëm brenda ndërtimit të ri, të ndryshohet projekti me qëllim që të ruhet monumenti dhe në raste të veçanta mund të pezullohet krejtësisht projekti”, është shprehur Karaiskaj.
(Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: